Flet i dyshuari për planifikim të atentatit ndaj kryeministrit Kurti, Prekë Kodra

Prekë Kodra, i apostrofuari nga mediat në Shqipëri për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, deputetit të PDK-së Xhavit Haliti dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së, Ismet Haxha, në një deklarim në televizionin T7 ka bërë të ditur se mediat kanë shpikur emrin e tij në lajmet e publikuara së fundmi.

Ai ka thënë se Albin Kurtin e njeh vetëm përmes televizorit.

“Për këtë situatën vetëm po shpikin për mua. Unë Albin Kurtin e njoh përmes televizionit, nuk njoh, as nuk kam lidhje me asnjë njeri në Kosovë për asnjë lloj qëllimi të keq. Po më merrni në qafë mua dhe familjen time”- ka thënë ai.

Ai tha se ka qenë në një lokal në Shkodër kur doli lajmi se është i përfshirë në këtë atentat.

“Për herë të parë kur dëgjova kam qenë në Shkodër në një lokal dhe dikush më ka telefonuar nga Gjermania dhe më thënë nëse jam duke i parë lajmet, pastaj më ka dërguar një link ku pash diçka që kurrë në jetë nuk do e kisha imagjinuar”- shtoi ai.

Kodra shtoi se para një viti e kanë ndaluar Dogana e Kosovës, derisa ishte marrë në pyetje nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë.

“Mua më kanë ndaluar para rreth një viti në Kosovë në Doganë pasi kam shkuar të blejë një kamion për ndërmarrjen time. Më kanë mbajtur gati 10 orë, aty kanë qëndruar pa më tregu asgjë. Me vete i kam pasur 15 mijë euro. Pastaj më kanë dërguar në Prishtinë te Departamenti i Krimeve të Rënda tek dhomat e izolimit ku jam marr në pyetje, më thanë se dyshohem për falsifikim parash” – shtoi Kodra.

Sipas tij, në Doganë e kanë pyetur për disa persona, e që i kujtohet vetën një me mbiemër Kelmendi.

“Në Doganë më kanë pyetur për disa persona që mua nuk më interesonin që as tash nuk ua mbaj emrat. Më kanë përmendur nëse njoh dikë me mbiemër Kelmendi”- tha ai.

Kodra shtoi se nuk është snajperist por vetëm gjuetar i thjeshtë.

Kurse, lidhur me raportimet për raporte të mundshme me deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj, ai tha se nuk e njeh por vetëm kanë rastisur të jenë të ftuar në një darkë.

“Më vjen keq për atë personin që e keni lidhur me mua, unë kam qenë në Kosovë me një nip dhe një person tjetër. Kemi qenë në një darkë dhe ai zotëria ka qenë aty, afër tij gjatë ndejës më është thënë që është deputet dhe kemi qëndruar 2-3 orë pastaj nuk e kam parë kurrë. As emrin nuk ia di, ia mësova në lajme”- ka shtuar më tej Kodra.

Tutje Prekë Kodra bëri të ditur se pas publikimit të lajmeve askush nuk e ka kontaktuar prej Policisë por që është i gatshëm të përgjigjet.

I apostrofuari për atentat ndaj Albin Kurtit kishte rast të hapur në Prokurorinë e Prizrenit