Pallati i Rinisë - Foto: Facebook/ShpendAhmeti

Komuna e Prishtinës shlyen të gjitha borxhet e 'Pallatit të Rinisë'

Pallatit të Rinisë në Prishtinë i janë shlyer të gjitha borxhet nga Komuna e Prishtinës.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti ka shkruar se komuna i ka paguar të gjitha vendimet gjyqësore si pasojë e djegies së pallatit në vitin 2000 dhe do të fillojnë renovimin e sallës së djegur.

Gjithashtu komuna ka planifikuar renovimin e të gjitha sallave, zhveshtoreve, dhe ambienteve të tjera.

“Për herë të parë në 15 vitet e fundit, Pallati i Rinisë është pa borxhe. Kemi paguar të gjitha vendimet gjyqësore si pasojë e zjarrit në vitin 2000. Për vite me radhë para marrjes në menaxhim, kamata e vendimeve është shtuar me që rast Pallati është rënduar edhe më shumë.

Me vendim të Komunës së Prishtinës tashmë borxhet janë paguar dhe gjendja është normalizuar. Me këtë rast ka përfunduar faza emergjente e vlerësimit të borxheve dhe pagesave. Kjo ka qenë faza e parë pas kthimit të Pallatit në Ndërmarrje Komunale.

Tashmë kemi filluar fazën e dytë të përgatitjes së investimeve në pjesën e rinisë ku ka qenë ASK dhe ku është Salla e Kuqe, dhe po ashtu kemi filluar punët përgatitore për projektin e renovimit të sallës së djegur, apo Sallës së Madhe.

Po ashtu po planifikohet edhe renovimi i të gjitha sallave, zhveshtoreve, dhe ambienteve të tjera në institucionin më të madh sportiv në vendin tonë”, ka shkruar Ahmeti.