Komandanti i UÇK-së reagon ndaj vendimit të Speciales

Ish-komandanti i brigadës 128, Ruzhdi Saramati, ka reaguar publikisht për refuzimin e ndihmës juridike falas nga administratorja e Gjykatës Speciale, të kërkuar nga kjo e fundit për shkak të mungesës së mjeteve që të kontribuojë për përfaqësimin e tij juridik.

Administratorja e Gjykatës Speciale ka refuzuar kërkesën e Saramatit nën arsyetimin se parashtruesi i kërkesës (Ruzhdi Saramati) e informoi Zyrën e Mbrojtjes për ekzistencën e llogarive të tjera bankare vetëm pas kërkesave të mëtejshme nga Zyra e Mbrojtjes dhe parashtruesi nuk dha informacion për automjetin e tij në Formularin e Deklarimit të Mjeteve Financiare; ai e dha këtë informacion vetëm pasi kjo iu kërkua nga Zyra e Mbrojtjes.

Gjithashtu si arsyetim për refuzim të kërkesës është se parashtruesi nuk paraqiti informacion të besueshëm dhe të faktuar për dy llogaritë bankare të deklaruara në Formularin e Deklarimit të Mjeteve Financiare dhe në Formularin e Dhënies së Pëlqimit (“dy llogaritë bankare”), edhe pasi iu kërkua katër herë ta bënte këtë. Vendimi për këtë rast është publikuar.

Saramati pas publikimit të vendimit në KALLXO.com për refuzimin e kërkesës për ndihmë juridike falas, ka shkruar se ai ia ka sqaruar Gjykatës burimin e mjeteve financiare.

Ai ka thënë se veturën e ka blerë me të hollat që i janë kompensuar nga vuajtja në burgjet e Serbisë dhe nuk do ta shesë për të paguar Gjykatën Speciale.

Teksa ka shtuar se me të hollat që i merr nga dy pensionet mbanë familjen.

“Po me vjen keq për administratoren e Gjykatës Speciale por, unë e kam cekur shumë mirë: i kam dy pensione, një te TMK-se dhe një të invalidit të luftës, për të cilat i shfrytëzoj dy xhirollogari të ndryshme bankare. Me këto para e ruaj familjen time. Ndërsa makinën e kam blerë me paret me të cilat më kanë kompensuar për vitet që i kam kaluar në burgjet famëkeqe të Serbisë (dhe kjo mund të verifikohet shumë lehtë) dhe nuk e shes kurrë për ta paguar gjykatën, sepse unë nuk kam bërë asnjë veprim antiligjor. Nuk e ndjej veten fajtor për asgjë. Te gjithë i paguajnë makinat me djersë, ndërsa unë e kam paguar me vite rinie dhe me gjak.  Kam luftuar vetëm për lirinë e popullit tim të okupuar nga Serbët. Në u kanoste prapë atdheu im unë prapë do të luftoj”, ka shkruar Saramati.

Komandantit Ruzhdi Saramati i refuzohet avokati nga Gjykata Speciale