Kalkulimet e Fejzullah Hasanit Pas Dorëheqjes
Gati shtatë vjet pasi ishte zgjedhur në krye të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasanit iu miratua dorëheqja e paraqitur në Këshillin Gjyqësor të Kosovës si gjyqtar i Gjykatës Supreme ku shërbeu nga viti 2003.
Në një prononcim për KALLXO.com, Hasani tha se tani do t’i përkushtohet arsimit e mësimdhënies në fakultet.
Megjithatë, Hasani tani 56 vjeçar do t’i gëzojë benefitet që i jep Ligji për Përfitimin e ish-Zyrtarëve të Lartë i vitit 2008 dhe plotësim- ndryshimi i këtij ligji i vitit 2011.
Sipas këtij ligji, kryetari i Gjykatës Supreme pas përfundimit të mandatit të tij si kryetar dhe dorëheqjes si gjyqtar i kësaj gjykate, do të realizojë pagë mujore prej 70 për qind të pagës aktuale mujore prej 1440 eurove bruto.
Përpos pagës, kryetari i Gjykatës Supreme, do të ketë të drejtë edhe për staf mbështetës.
“Institucioni përgjegjës i siguron ish-funksionarit të lartë një asistent të lartë, vozitësin dhe një truprojë,” thuhet në pikën 3.4 të nenit 3 të Ligjit për Përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë.
Përfitimet e çdo ish-zyrtari nuk mbarojnë me kaq.
Çdo ish-zyrtar i lartë përpos përfitimeve të lartpërmendura, ka të drejtën e një hapësire të përshtatshme zyreje të mobiluar dhe të pajisur si dhe do t’i mbulohen shpenzimet e komunikimit-telefoni e interneti e që nuk duhet të kalojnë shumën prej 1200 eurove në vit.
Në vitin 2010 në Agjencinë Kundër Korrupsion Fejzullah Hasani deklaroi pasuri në vlerën e 49 mijë eurove. Gjashtë vjet më vonë pasuria e tij u rrit për 177 mijë euro. Në vitin 2016 Hasani deklaroi pasuri prej 226 mijë eurove.
Fejzullah Hasani karrierën e tij në Gjykatën Supreme të Kosovës e filloi në vitin 2003 si gjyqtar në këtë gjykatë.
Në vitin 2009 ishte zëvendëskryetar, ndërsa nga 16 shkurti 2010 ishte në pozitën e kryetarit të kësaj gjykate.