Kadri Veseli dhe Bekim Jashari bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, sot kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule në Kompleksin Memorial në Prekaz në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari e të anëtarëve të tjerë të Familjes Jashari.

Kryeparlamentari Veseli tha se raste të tilla si ky, kur një individ dhe një ngjarje ndryshon gjithë historinë e një kombi, janë të rralla në historinë e popujve.

“Sot ne jemi krenarë dhe ecim bashkërisht përpara në rrugën e forcimit të shtetit e të integrimit euro-atlantik. Askush nuk mund të na dalë përpara dhe askujt nuk i frikësohemi. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Ajo do të jetë më e zhvilluar, më e fuqishme dhe më sovrane, edhe për faktin se ka orientim të qartë të partneritetit me SHBA-të dhe BE-në. Po ashtu, ka orientim të qartë edhe sa i përket zhvillimit të vet të gjithmbarshëm, por edhe të fqinjësisë së mirë me fqinjët e saj”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Sipas komunikatës Veseli tha se ata që duan fqinjësi të mirë, do ta kenë atë, ndërsa ata që nuk e respektojnë shtetin e Kosovës, po ashtu do të përballen me të njëjtën qasje.

“Jam këtu së bashku me kryetarin e Komunës së Skenderajt, i cili është pjesë e kësaj lavdie, e kësaj sakrifice dhe e këtij kontributi. Nuk ka gjë më të mirë se sa dy dekada pas kësaj rënieje heroike, në Kosovën, në Drenicën dhe në Skenderajn e lirë, ta kemi kryetar komune pikërisht nipin e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Lavdi dhe respekt të gjithë atyre që kanë sakrifikuar dhe familjeve të tyre”, shtoi Veseli.