Isa Mustafa | Foto: RTV 21

Isa Mustafa kundër largimit të drejtorit dhe kryetarit të bordit të AKP-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj shkarkimit të drejtorit menaxhues të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, Ekrem Hajdari dhe dorëheqjes së kryetarit të bordit, Petrit Gashi.

Mustafa në reagimin e tij i ka cilësuar këta dy zyrtarë si ndër të paktët që nuk vodhën dhe nuk manipuluan.

“Janë mbushur mbi tre vite që Kosova është kursyer nga aferat dhe skandalet në AKP, nga vjedhjet dhe manipulimet. Prandaj ata që nuk vodhën dhe nuk manipuluan as për vete as për të tjerët u detyruan të largohen. Profesor Petrit Gashi, një prej ekonomistëve më të thellë dhe më të spikatur jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, i doktoruar në Britani të Madhe, i specializuar në shumë programe në SHBA, largohet, sepse nuk bashkëpunon me krimin”, shkroi Mustafa.

Ai shtoi se e di arsyen pse këta dy janë larguar.

“Është e dhimbshme dhe zhgënjyese që pas një pune sistematike, të suksesshme dhe vënie të rregullit në AKP, drejtuesit e këtij agjensioni të detyrohen të shkarkohen dhe të japin dorëheqje, për të hapur rrugë që dikush të pasurohet nga pronat që i takojnë Kosovës. Ky është edhe një argument se ky pushtet duhet të shkoj sa më pare”, shkroi Mustafa.

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi dje ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

https://kallxo.com/jep-doreheqje-kryetari-i-bordit-te-akp-se-petrit-gashi/

Kjo dorëheqje vjen tri ditë pas shkarkimit të drejtorit të AKP-së, Ekrem Hajdari, shkarkim për të cilin thuhet se Gashi ka qenë kundër.

Ai thotë se dorëhejqja e tij lidhet me shkarkimin e Ekrem Hajdarit.

“..largimi i Drejtorit Menaxhues, për mua si Kryesues i Bordit, nënkupton shkëputjen e lidhjes në mes të këtyre dy mekanizmave kryesor të Agjencisë, e që besoj se është qenësore për punën e mëtejme të Agjencisë. Për më tepër, arsyetimi i pabazuar se shkarkimi është rezultat i rezultateve të dobëta të punës, ka zbehur besimin tim se mund të punohet më tutje në interesin e përgjithshëm të Agjencisë. Rrjedhimisht, sot i kam dorëzuar dorëheqjen time si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, ka thënë Gashi në sqarimin dërguar mediave.

Ai ka thëë se e ka e konsideruar të pabazë arsyetimin e dhënë dhe shkarkimin Hjadarit dhe se e kakundërshtuar duke e konsideruar si veprim me pasoja për Agjencinë.

“Motivet reale të shkarkimit të z. Hajdari besoj se do të bëhen të qarta për publikun me përzgjedhjen e pasardhësit të z. Hajdari”, ka thënë Gashi.

“Mirëpo, jam i obliguar t’i sqaroj publikut të arriturat e Agjencisë gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë Drejtor Menaxhues i Agjencisë. Raportet vjetore të Agjencisë dhe raportet e Auditorit të Përgjithshëm tregojnë që rezultatet e shënuara nga Agjencia në vitin 2017 janë më të mirat në historikun e Agjencisë. Gjatë këtij viti Agjencia ka shitur me shumë asete se ndonjëherë më parë, ka grumbulluar fonde më shumë, ka tërhequr më shumë investitorë, dhe ka ngritur çmimin e shitjes së aseteve. Për më tepër, asetet e uzurpuara gati janë elimuar në tërësi”.

Petrit Gashi është zgjedhur kryetar i Bordit të AKP-së më 17 dhjetor 2015.

KALLXO.com shkroi edhe për shkarkimin e Ekrem Hajdarit.

https://kallxo.com/shkarkohet-ekrem-hajdari-nga-pozita-e-drejtorit-menaxhues-te-akp-se/