Sejdi Hoxha - Foto: KALLXO.com

Interpretimi ligjor që ia ndalon Sejdi Hoxhës të jetë kryeshef i Postes dhe kryetar dege në PDK

Sejdi Hoxha, përveç si kryeshef i Postës së Kosovës, nga data 19 maj është edhe në krye të degës së PDK-së në Drenas.

Mirëpo, mbajtja e dy pozitave është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Një interpretim të këtij ligji e ka bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik pikërisht për rastin e kryeshefit të një ndërmarrjeje publike.

Sipas këtij interpretimi ligjor, kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.

Ky është interpretimi që ka dhënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM) ia ka pamundësuar Blerand Stavilecit të zgjidhet në krye të KEK-ut për shkak të kaluarës së tij politike.

Në këtë opinion ligjor është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh ka qenë bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, potencohet në opinionin ligjor.

I pyetur nga KALLLXO.com nëse do të jap dorëheqje në postin e kryeshefit të PK-së, i njëjti e ka mohuar të ketë konflikt interesi.

Kryeshefi menjëherë ka publikuar edhe një postim në rrjetin social në ‘Facebook’, ku ka shkruar së ka marr një interpretim nga Zyra Ligjore e Postës së Kosovës, e që sipas tij është konsideruar që nuk ka konflikt interesi.

“Unë kam marr një interpretim nga Zyra Ligjore e Postes se Kosovës e cila konsideron se nuk ka konflikt interesi. Gjithashtu, lidhur me ketë çështje, do te konsultohem edhe me institucione te tjera”, ka shkruar Hoxha duke u zotuar në zbatim çdo vendim ligjor.

KALLXO.com ka raportuar dje (të shtunën) së kryeshefi i Postës së Kosovës është zgjedhur edhe kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas.

https://kallxo.com/sejdi-hoxha-zgjedhjet-kryetar-i-deges-se-pdk-se-ne-drenas/