Haradinaj takohet me ministrin e Jashtëm të Malit të Zi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq.

Sipas një komunikate për media, kryeministri në këtë takim foli për zhvillimet e gjithanshme në Kosovë, përkushtimin e Qeverisë për zhvillim ekonomik, forcimin e rendit dhe ligjit, përmbushjen e agjendës së reformave evropiane, për bashkëpunimin rajonal si dhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Haradinaj tha se po punojnë me përkushtim për ndërtimin e raporteve të mira bilaterale me të gjitha vendet e rajonit, duke potencuar perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Jemi të përkushtuar që marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore të vazhdojnë edhe në të ardhmen për perspektivën euroatlantike dhe fuqizimin e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve tona”, citohet të ketë thënë i pari i ekzekutivit të enjten.

Tutje, në takim, është diskutuar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se arritja e një marrëveshje finale ligjërisht obligative me Serbinë, që nënkupton njohjen reciproke, është në interes të dy vendeve dhe do të forconte paqen dhe stabilitetin në rajon.

Ndërkaq, Srdjan Darmanoviq, ishte shprehur se Mali i Zi do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe do të vazhdojë bashkëpunimin në fusha të interesit reciprok, ndërmjet dy vendeve tona.