Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Haradinaj: Po përgatitet inskenimi i një katastrofe humanitare në veri

Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar për një tentim të biznesmenëve dhe zyrtarëve të Beogradit për të paraqitur një katastrofë humanitare në pjesën veriore të Kosovës.

Ai madje ka publikuar edhe emrat e personave që po tentojnë të organizojnë këtë plan.

“Boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve”, ka shkruar tutje Haradinaj.

 

Ky është postimi i plotë i Ramush Haradinajt në Facebook:

Përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në Veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme. Boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar. Në bazë të këtyre informatave, mësohet se pjesë e organizimit të këtij plani janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq. Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq. Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve.