Hapet Programi i Bursës së Kosovës për Ekselencë në Gazetari

Procesi i aplikimit për Programin e Bursës së Kosovës për Ekselencë në Gazetari’ për vitin 2018 është hapur.

Koha e fundit për të dorëzuar aplikacionin së bashku me formularin e aplikimit është në mesnatë më 24 gusht 2018, tek [email protected].

Programi do të fillojë në shtator 2018 dhe është i bazuar sipas Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari, që ka filluar qysh në vitin 2007.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarise Hulumtuese – BIRN Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK ftojnë të gjithë gazetarët e interesuar që të aplikojnë për këtë bursë 6-mujore, të ofruar nga Bashkimi Europian në Kosovë.

10 gazetarë ambiciozë dhe të guximshëm do të zgjidhen nga një ekip profesionistësh lokalë dhe rajonalë për t’u bërë pjesë e kësaj përvoje dinamike dhe të pasur.

Secili anëtar do të përfitojë bursë prej 2,000 euro për një storie të thellë hulumtuese që mbulon çështjet si shpenzimet publike, qeverisja lokale, prokurimi publik, mjedisi, energjia, shëndetësia, kultura, arsimi, financimi i mediave, të drejtat e njeriut, bashkëpunimi ndëretnik etj.

Përveç kësaj, gazetarët e përzgjedhur do të përfitojnë mentorim nga një ekip redaktorësh të kualifikuar të BIRN Kosova, të cilët kanë përvojë të gjerë në prodhimin dhe redaktimin e raportimit të cilësisë së lartë në Kosovë dhe në rajon, si dhe janë vlerësuar për ekselencën e tyre nga disa organizata dhe kanë fituar çmime për raportim të paanshëm dhe profesional nga organet kryesore të mediave në Kosovë.

Në fund të programit, bursistët priten të kenë prodhuar një storie origjinale hulumtuese/kërkimore. Formati mund të ndryshojë, nga storie të shkruara, në reportazhe televizive ose përmbajtje të paraqitura në format multimedial. Storiet e bursistëve të përzgjedhur do të publikohen në shqip, anglisht dhe serbisht. BIRN do të sigurojë ripublikimin e storieve të bursistëve në mediat e tjera lokale në mënyrë që të rrisë shtrirjen e storieve të prodhuara.

A jeni të interesuar të jeni pjesë e këtij programi prestigjioz?

Plotësoni formularin e aplikimit dhe dorëzoni aplikacionin tuaj deri në mesnatë më 24 gusht 2018, tek [email protected] .

Çdo pyetje në lidhje me këtë program ose aplikacion mund të drejtohet tek [email protected], më së voni deri më 17 gusht 2018.

Propozimet mund të dorëzohen në shqip, anglisht ose serbisht, që janë tri gjuhët e punës të cilat do të përdoren gjatë kohëzgjatjes së programit.

Gratë dhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë inkurajohen fuqishëm që të aplikojnë.

Detajet tjera mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.