Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës

Kosova tash e pothuajse një vit është në pritje të trajtimit të aplikimit të saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Në këtë drejtim Komiteti i Ministrave të këtij këshilli pritet të mblidhet të hënën e 24 prillit, derisa në agjendën e publikuar, në njërën nga pikat parashihet shqyrtimi i një aplikimi për anëtarësim.

Ndonëse nuk specifikohet nëse bëhet fjalë për aplikimin e Kosovës, megjithatë nuk ka ndonjë aplikim tjetër përveç Kosovës, i cili është në pritje të shqyrtimit.

“Votat janë siguruar”

Kështu pati deklaruar ditë më parë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, kur raportoi para Komisionit për Punë të Jashtme, kur foli për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Votat janë siguruar, unë mendoj që nuk duhet kalojë me shumë kohë, sepse janë shterë të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga ambasadorët tek asambleja parlamentare”, tha Donika Gërvalla,  ministrie e Punëve të Jashtme.

Ndërkohë në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës është publikuar agjenda e diskutimeve të Komitetit të ministrave i cili mbahet të hënën më 24 prill. Në njërën nga pikat parashihet shqyrtimi i një aplikimi për anëtarësim. Ndonëse nuk specifikohet nëse bëhet fjalë për aplikimin e Kosovës megjithatë nuk ka ndonjë aplikim tjetër përveç Kosovës i cili është në pritje të shqyrtimit.

RTK ka kërkuar përgjigje nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës, mirëpo asnjë nga ta nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Në anën tjetër, ishte ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili një javë më parë shprehu nervozë në një konferencë shtypi, kur u pyet nëse do të shkojë në Strasburg me rastin e 20 vjetorit të pranimit të Serbisë në këtë organizatë. Ai deklaroi se është bërë e ditur që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do t’i nisë procedurat për pranimin e Kosovës në këtë institucion.

Ndryshe, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar derisa pranimi në këtë organizatë vlerësohet i një rëndësie të veçantë për vendin. rtklive