Foto: Atdhe Mulla

Grupi i Deputetëve shpalos parimet

Visar Ymeri e Dukagjin Gorani dolën sot në një konferencë për gazetarë në të cilën prezantuan parimet e rrugëtimit të tyre politik.

Grupi i Deputetëve të Pavarur sot ka shpalosur deklaratën e parimeve të tyre përmes së cilës do të definohet mendimi i tyre politik dhe shtetëror.

Deputeti këtij grupi Visar Ymeri tregoi se çfarë përmban deklarata e parimeve.

“Sot do ta shpalosim deklaratën e parimeve tona e cila është një përmbledhje e vlerave, bindjeve, këndveshtrimeve dhe zotimeve tona politike dhe e cila është edhe bazamenti ynë konceptual politik, që na definon së kush jemi politikisht dhe që na udhëzon në rrugën tonë përpara”, tha Ymeri.

Ai tha se kjo deklaratë e parimeve mbledh një grup njerëzish përveç Deputetëve të Grupit të Pavarur.

“Kjo deklaratë e parimeve mbledh rreth vetes një grup njerëzish që përveç Grupit të Pavarur të Deputetëve dhe të cilët janë dakorduar që rrugëtimin politik ta bëjnë bashkë në të ardhmen”, deklaroi ai.

Ymeri ka thënë që shumë shpejt do të bëhet publik edhe forma e këtij rrugëtimi politik.

“Forma e këtij rrugëtimi politik është duke u diskutuar dhe natyrisht shumë shpejt do të marrim vendin për këtë dhe do ta bëjmë publik”, deklaroi ai.

Deputeti Ymeri shprehu bindjen se e ardhmja e këtij rrugëtimi politik do të jetë e mirë.

“Në cilëndo formë të këtij rrugëtimi politik dy gjëra janë ta qarta, një që ne do të kemi të ardhme politike dhe e dyta është që angazhimi ynë politik do të jetë përbrenda këtij koncepti dhe këtyre vlerave të cilat po i shpallim sot”, u shpreh ai.

Në konferencë u tha se ende nuk është vendosur për emrin e këtij subjekti.

Ymeri nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen të kenë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje në të cilin subjekt politik dhanë dorëheqje kohë në parë.

“Ne mendojmë që bashkëpunimi është edhe i mundshëm dhe nganjëherë i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm. Në këtë drejtim në jemi të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim mirëpo në nuk mund ta kushtëzojmë bashkëpunimin me të tjerët nëse ata nuk duan”, tha Ymeri.

Ndërsa deputeti tjetër i Grupit të Pavarur, Dukagjin Gorani shpalosi disa pika të deklaratës së parimeve duke thënë se përmes saj angazhohen për një “republikë të qytetarëve”, një “republikë laike” dhe një “qeverisje lokale”.

Gorani tregoi se sa është punuar për këtë deklaratë e cila u prezantua sot.

“Ishin këto disa nga tekstet e këtij dokumenti i cili është punuar tash e dy muaj nga Grupi i Deputetëve të Pavarur dhe një pjesë e konsiderueshme e bashkëpunëtorëve tanë”, tha Gorani.

Grupi i Deputetëve të Pavarur u krijuan në muajin mars nga të pakënaqurit brenda Lëvizjes Vetëvendosje.