GLPS me rekomandime për marrëveshjen finale të dialogut Kosovë-Serbi

Grupi për studime juridike dhe politike (GLPS) nëpërmjet një konference për media ka prezantuar një dokument me rekomandime për Marrëveshjen Finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument dhe këto rekomandime sipas GLPS-së, janë në pajtim të plotë me praktikat e shteteve tjera dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe iu është shpërndarë gjithë spektrit politik në Kosovë, ku mund të përdoret si bazë për qëndrimin e shtetit të Kosovës në dialog.

Përparim Kryeziu nga ky grup tha se GLPS që nga fillimi e ka përcjellur në vazhdimësi dialogun, sipas tij i gjithë spektri politik në Kosovë duhet të orientohet mbi disa parime që duhet të reflektojnë.

‘’Ne vlerësojmë që gjithë spektri politik i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës duhet të dakordohen mbi një platformë për dialogun dhe fazën finale të tij. Partitë politike duhet të orientojnë politikën e tyre mbi një numër parimesh të cilat duhet të reflektojnë 1.pritjet minimale të Kosovës nga ky proces; 2.vijat e kuqe mbi të cilat nuk mund të ketë negocim’’, tha Kryeziu.

Ai gjithashtu tha se GLPS-ja propozon që Marrëveshja Finale e dialogut duhet të zhvillohet mbi disa elemente, që ky grup i konsideron si parime minimale të Platformës për Dialogun mbi Fazën Finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

‘’ GLPS propozon që marrëveshja finale duhet të ketë këto elemente: 1.Njohjen e plotë juridike; 2.Shfuqizimin e rezolutës 1244; 3.Transformimin e statusit juridik të KFOR-it si dhe 4. Respektimin e parimit të mos përzierjes pas marrëveshjes finale’’, deklaroi Kryeziu.

Ndërsa Lekë Batalli nga po ky grup ka thënë se Kosova duhet të sigurohet që marrëveshja të përmbajë mekanizma që garantojnë respektimin e detyrimeve që do të ndërmerren nga palët në këtë marrëveshje, një siguri që marrëveshja do të zbatohet.