GLPS Me rekomandime për Komisionin Europian

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar analizën “Mekanizmi i Matjes së Bashkimit Europian rreth Politikave Themelore”, përmes së cilës ka studiuar mekanizmat e matjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo analizë u shpalua në tryezën e organizuar nga GLPS,  me temë “Perspektiva Europiane e Kosovës sipas Strategjisë së Zgjerimit: Çfarë pritet të bëjë Kosova në vitet e ardhshme?”.

Përfaqësuesja e GLPS-së, Albana Rexha, njëherësh autore e këtij raporti, tha se gjendje e gjyqësorit në vendet e Ballkanit Perëndimor është e pakënaqshme.

“ Bashkimi Europian nuk do te dëshironte që pjesë e unionit te saj të ishin shtetet që nuk kanë gjyqësor efikas”, deklaroi Rexha.

Ajo tha se mekanizmat vlerësues apo “ benchmarking mechainism” të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ngjashme.

E gjetur tjetër e këtij raporti sipas Rexhës është se qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të gatshme të implementojnë standarde të BE-së kur ka përfitime të menjëhershme për këto shtete.

Rexha, përveç të gjeturave dha edhe rekomandime  për Komisionin Europian për mekanizmat e matjes së BE-së.

“Mekanizmat e BE të mos të jenë të fokusuara vetëm në strategjitë e reja, por të ketë edhe mekanizma tjerë që duhet të përmbushur”, tha Rexha.

E pranishme në këtë diskutim ishte edhe Fitore Pacolli, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes e cila foli për Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.

“Qytetarët e Republikës së  Kosovës deri më tani janë mashtruar me fjalë boshe. Po t’i shohim fjalimet  Kosova ka përfituar nga kjo strategji, ndërsa në realitet këto hapa nuk shihem asgjëkund. Strategjia paraqet një hap pozitiv për shtetet e Ballkanit, mirëpo Kosova është pjesë e dokumentit, por jo e strategjisë”, tha Pacolli.

Ajo tha se në këtë strategji është përmendur edhe dialogu Prishtinë- Beograd për çka vlerësoi këtë dialog pa objektiv i cili sipas saj po i sjellë përfitime vetëm Serbisë.

Deputetja Pacolli ndër tjerash tha se Kosova nuk do të paraqitet mirë as në Raportin e Progresit të Komisionit Europian që pritet të publikohet në muajin prill.

“Raporti i cili do të dalë në prill do të flasë për kapjen e shtetit në Ballkanin Perëndimor. Edhe Kosova do të jetë këtu”, tha Pacolli.

E përfaqësuesja tjetër e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Albana Merja tha se Marrëveshjes e Stabilizim- Asociimit është zbatuar shumë pak.

“ Nga ajo që kemi monitoruar ne (GLPS) na del se vetëm 30 deri 35 për qind të objektivave për zbatimin e kësaj marrëveshje janë zbatuar”, deklaroi Merja.

Ajo tha se për herë të parë Bashkimi Europian ka folur hapur në Strategjinë e Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.

“ Për herë të parë në Strategji është shprehur kapja e shtetit, që Bashkimi Europian asnjëherë nuk e ka folur aq hapur”, deklaroi Merja.

Ndërsa Venera Ramaj, këshilltare në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës tha se ky shtet ka fokus në reformat e procesit të integrimit dhe sundimit të ligjit në Kosovë.

“Strategjia e publikuar e zgjerimit në shkurt na bënë të qartë që procesi i integrimit të Kosovës nuk është vetëm proces teknik. Unë kam pesë pika që mendoj që janë të rëndësishme dhe kruciale për Kosovës siç janë: të sigurohet transparenca dhe eficienca e gjyqësorit, Luftimi i korrupsionit pa kompromis, institucione të forta dhe të pavarura, implementimi i plotë i ligjeve në  të gjitha fushat dhe dialogu mes të gjitha palëve”, tha Ramaj.