Gjykimi për mashtrimin e 176 qytetarëve për shitblerjen e banesave

Në gjykimin për krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash në lidhje me mashtrimin e 176 qytetarëve për shitblerjen e banesave nga kompania “Venis-O-Group”, është shtyrë seanca gjyqësore.

Shtyrja e seancës gjyqësore u bë për shkak të mungesës së njërit prej të akuzuarve.

Në sallë të Gjykatës nuk u paraqit i akuzuari Valon Orllani, i cili mungesën e tij e kishte arsyetuar përmes mbrojtësit të tij, avokatit Ramiz Krasniqi i cili Gjykatën e kishte njoftuar se i mbrojturi i tij nuk do të mund të jetë i pranishëm në seancë gjyqësore për shkak se gjendet jashtë shtetit.

“Mungon i akuzuari Valon Orllani që mungesën e tij e ka arsyetuar përmes mbrojtësit të tij avokatit Ramiz Krasniqi. Por i njëjti ka premtuar që në javën e ardhshme ose në seancën e radhës kur do të caktohet nga Gjykata do të jetë i pranishëm”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, Gjyqtari Vesel Ismajli.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të seancës gjyqësore, seanca u shty për datën 26 tetor.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, pronarja e kompanisë “Venis-O-Group”, Estrida Bunjaku si dhe pesë persona të tjerë: Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, Xhemajl Arifi, Valon Orllani e Faton Orllani të cilët nga prokuroria akuzohen se në bashkëkryerje me pronaren e kompanisë “Venis-O-Group”, i kanë mashtruar 176 qytetarë të cilëve u kanë paraqitur oferta të volitshme për shitblerjen e banesave ku më pas kontratat për shitblerjen e këtyre banesave kanë rezultuar të rrejshme.

https://kallxo.com/prokuroria-kerkon-deshmi-nga-qytetaret-qe-u-mashtruan-nga-estrida-bunjaku/

Sipas aktakuzës të akuzuarit nga të dëmtuarit, në mënyrë të kundërligjshme kanë përfituar vlerën e të hollave në shumë prej 2 milionë eurove.

Në aktakuzë thuhet se të dëmtuarit paraprakisht kanë qenë të obliguar që grupit kriminal t’i paguajnë shumën e të hollave në vlerën më të vogël prej pesë mijë eurove e deri tek shuma më e madhe në vlerë rreth 2 milionë eurove.

Sipas prokurorisë këto të holla janë paguar në xhirollogarinë e kompanisë “Venis-O-Group” dhe në xhirollogarinë personale të  Estrida Bunjakut e cila më pas përmes zyrtarëve të vetë të gjitha këto të holla i ka tërhequr brenda ditës dhe pastaj në bashkëkryerje me të akuzuarit e tjerë kanë bërë shpëlarjen e këtyre parave.