Droni i rënë më 23 mars në lagjen Bair të Mitrovicës, Foto: Fuad Sylejmani

E konfirmon KFOR-i: Droni që u rrëzua në Bair të Mitrovicës është i yni

Një dron, i cili ra sot rreth orës 14:00 në lagjen Bair të Mitrovicës, është i KFOR-it.

Këtë për KALLXO.com e konfirmoi zyra për media e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët e tij ka bërë ulje në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Tutje, KFOR ka thënë se droni po kryente monitorim rutinor.

“Droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, duke e mandatuar KFOR-in të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet tutje në përgjigje.

Në fund. KFOR-i ka falenderuar popullatën lokale për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin dhe “për kontaktimin e menjëhershëm të autoriteteve kosovare, duke bërë të mundur marrjen e menjëhershme të dronit dhe zbutjen e çdo shqetësimi të shkaktuar nga incidenti”.

“KFOR-i tashmë ka filluar një hetim për të përcaktuar shkakun”, thuhet në fund të njoftimit.