Pamje nga konferenca e Inspektoratit të Punës - Foto: KALLXO.com

Gjobiten Tri Media

Inspektorati i Punës ka gjobitur tri media në Kosovë për shkak të mosrespektimit të Ligjit të Punës, por nuk ka treguar se për cilat media bëhet fjalë.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, tha se nga 34 mediume të inspektuara tri janë gjobitur.

Ai tha se nuk dëshiron që të bëjë publike emrat e mediumeve në mënyrë që ata të mbesin të barabartë.

Ibrahimi tregoi edhe detaje të tjera nga të gjeturat gjatë inspektimit të parë.

“Një problem tjetër kanë qenë kontratat me punë specifike, ku këta punëtorë mediat i kanë mbajtur për një kohë të gjatë mirëpo pa kontratë të rregullt”, tha ai.

Sipas raportit, 43 punëtorë kanë qenë të palegalizuar, 21 pa kontrata pune, kurse 153 me kontrata specifike dhe jo të rregullta.

“Qëllimi nuk është me e gjobitë apo me e sanksionu por qëllimi është më kërku nga punëdhënësi respektimin e Ligjit të Punës dhe ligjet e tjera që lidhen me punën”, tha ai.

Sipas raportit në 649 raste mediat nuk e kanë kompensuar punën e punëtorëve që kanë punuar jashtë orarit, 83 raste nuk është paguar puna gjatë natës, 1 rast nuk është paguar pushimi i lehonisë dhe në 26 raste festat shtetërore nuk janë kompensuar.

Gjatë inspektimit gjithashtu janë gjetur edhe 4 raste ku personat me aftësi të kufizuar nuk i kanë pasur të realizuara të drejtat e tyre

Në inspektim është përfshirë edhe aspekti i shëndetësisë dhe sigurimit në punë. Sipas inspektimit, 782 punëtorë nuk kanë pasur kontrolle mjekësore kurse 9 kompani nuk kanë pasur plan emergjent.

“Ajo çka ka munguar shumë kanë qenë kontrollet mjekësore pasi që secili punëtor duhet nga ana e punëdhënësit që t’i bëhet kontrolli mjekësor. Atje ku është vendi me rrezikshmëri më të lartë çdo 6 muaj, kurse për të tjerët çdo tri vjet”, tha ai.

Në këtë raport janë përfshirë 1,896 punëtorë të mediave të 34 mediumeve. Prej tyre 1,177 janë femra kurse 719 meshkuj.

http://kallxo.com/inspektorati-punes-inspekton-mediat/