Gjini e Gashi, Emrat e AAK-së për Kthimin e Komunave të Humbura në Vitin 2013

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka prezantuar sot dy kandidatë për kryetarë të komunave në të cilat e kishte humbur kontrollin politik në zgjedhjet e vitit 2013.

Ardian Gjini për Gjakovën dhe Fatmir Gashi për Pejën janë propozimi i AAK-së për votuesit e këtyre komunave.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në konferencën për shtyp ku i prezantoi Gjinin e Gashin u shpreh i kënaqur për nominimin e tyre dhe tregoi se ata janë pjesëtarë të AAK-së që nga themelimi i partisë, në vitin 2000.

Para pak ditësh kjo parti ka shpallur edhe Arbër Vllahiun si kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Përderisa afati për dorëzimin e kandidaturave të subjekteve politike në KQZ skadon më 22 gusht në orën 23:59, pikëpyetje për AAK-në mbetet nëse Daut Haradinaj do të kandidojë për kryetar të Deçanit.

Kohë më parë, ai ishte deklaruar se do të kandidonte, por kjo gjë është komplikuar meqë Haradinaj tashmë është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës dhe tërheqja e tij mund ta linte AAK-në me një deputet më pak.

Ramush Haradinaj në konferencë për shtyp tha se janë duke u bërë bisedime për këtë çështje.

I pyetur nga gazetarët për kandidaturën e tij për kryeministër, Ramush Haradinaj tha se vonesat janë krijuar për shkak se ai po synon një qeveri me bazë më të gjerë.

“Mua po m’vjen keq se dolën ma t’komplikume sesa që është pritë. U mor një pozicion i habitshëm bojkotues edhe i konsultave edhe i takimeve. Por edhe arsyeja pse ndoshta mori më shumë kohë është se ishim të interesuar për një bazë më të gjerë”, tha Haradinaj.

Por ai tha se procesi është “në fazë finale” ndërsa nuk pret që të humbet më shumë kohë në formimin e institucioneve qendrore.