Foto: Kallxo.com

Forcat e sigurisë përgatiten të përballen me situatat emergjente

Rreth një mijë ushtarë demonstruan sot gatishmërinë e tyre për t’u përballur me raste emergjente.

Operacioni “Shpata e Argjendtë 2018” bashkoi forcat e sigurisë për t’u trajnuar për të reaguar ndaj rasteve emergjente.

Forca të EULEX-it, KFOR-it, Policisë së Kosovës e FSK-së morën pjesën në ushtrimin e sotëm të shfaqur në kampin Pomozotin dhe në aeroportin ushtarak të Sllatinës.

Në pjesën e parë të ushtrimit u shfaqën operacionet e kërkim- shpëtimit, evakuimit mjekësor, materialet e rrezikshme ndërsa në pjesën e dytë të ushtrimit u shfaqën trajnimet për kontrollimin e turmave,  trazirave dhe zjarrfikësve.

Gjenerali i KFOR-it, Salvatore Cuoci, tha para gazetarëve se Forcat e Sigurisë së Kosovës, janë të aftë dhe të stërvitur mirë për të menaxhuar rastet e emergjencave, ku përmendi gatishmërinë e kësaj force në raste emergjente.

Sipas tij, njëra ndër detyrimet e KFOR-it është trajnimi i FSK-së.

Ai u pyet edhe për gatishmërinë e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Nëse e përmend transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura, institucionet e Kosovës duhet ta zgjidhin këtë dhe është në duart e tyre. Pozicioni i NATO-s është i qartë, transformimi duhet të bëhet sipas ndryshimeve kushtetuese, është vendimi juaj. Ne po e mbështesim dhe po e trajnojmë FSK-në në mandatin e tyre të tanishëm, dhe presim të lajmërojmë për këtë bashkëpunim për fatkeqësitë civile dhe natyrore, janë shumë të aftë për t’i menaxhuar këto situata. Performanca e tyre është shumë e lartë”, shtoi Cuoci.

Komandanti i FSK-së, Gjeneral Rrahman Rama, tha se po dëshmohet se FSK është e gatshme tu ofroj siguri qytetarëve.

“Ne si forcë po e dëshmojmë në çdo aktivitet që jemi të gatshëm jemi në shërbim të qytetarëve dhe ndërveprueshëm me të gjithë parterët tonë”, tha Rama.