Filmi kosovar ‘Në mes’ pjesë e edicionit të 69-të të Berlinales

Hapet sot, më 7 shkurt 2019 në Berlin edicioni i 69 i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, i njohur edhe si Berlinale.

I konsideruar si një ndër festival më të rëndësishme të industrisë filmike në botë, ky festival mbledhë produksionet më të mira dhe figurat botërore të filmit.

E veçanta e këtij edicioni të Berlinales, është se pjesë e tij është edhe filmi kosovar, “Në mes” i metrazhit të shkurtër me regji të Samir Karahodajt.

Filmi “Në mes” do të jetë pjesë e garës së ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”, ndërsa sipas programit premiera e filmit në Berlinale do të jetë me 12 shkurt.

Filmi, ndër të tjerash nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes.

Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest.