Filmi kosovar ‘Në Mes’ triumfon në Spanjë

Sonte në edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të filmit për arkitekturë dhe dizajn enterieri ‘BARQ Festival’ në Barcelonë të Spanjës, filmi ‘Në Mes’ i regjisorit Samir Karahoda është zgjedhur më i miri.

Lajmin e ka bërë të ditur producenti Eroll Bilibani.

Gjithsej në garë ishin  11 filma.

Festivali përfshin një program të gjerë me filma nga e gjithë bota dhe aktivitete të ndryshme paralele, që është një ngjarje kinematografike që nxjerr në pah filmat që tregojnë në një mënyrë inovative çështjet aktuale në lidhje me arkitekturën, si aktivizmi urban, politika, ekonomia, mjedisi, diversiteti kulturor dhe shoqëror, qasje në banim ose të drejtat e barabarta mes njerëzve.

Festivali BARQ ofron një përzgjedhje të kërkuar të filmave dokumentarë që kërkojnë cilësi, origjinalitet dhe qëndrueshmëri teknike dhe artistike të prodhimeve të pashfaqura në Spanjë.

Samir Karahoda përmes një mesazhi virtual e falenderoj festivalin për përzgjedhje dhe jurinë për këtë vlerësim të veçantë për të, pasi që filmi ‘Në Mes’ vlerësohet për herë të parë nga ana e jurisë profesionale të përbërë nga arkitektë dhe filmbërës. 

Pas premierës në Berlinale të vitit 2019, filmi ‘Në Mes’ u shfaq në më shumë se 80 festivale të filmit.

Ky është çmimi i 11-të për filmin ‘Në Mes’, që është produksion i shtëpisë filmike SK Pictures, me producent Eroll Bilibani.