Filmi iranian rrëmben "Ariun e Artë" në Berlinale

“There Is No Evil”  është filmi i cili fitoi “Ariun e Artë”, në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinales.

Regjisori iranian, Mohammad Rasoulof nuk ishte prezent në marrjen e çmimit sepse autoritetet iraniane nuk e kishin lënë të dalë jashtë vendit për shkak të filmit  “A man of integrity”, i cili kishte marrë më parë trofenë e Kanës, raportojnë mediat ndërkombëtare.

“Ky mik i vogël do të shkojë së shpejti në vendin tim dhe do t’i thotë Mohammadit: “Ti nuk je vetëm”, tha producenti Kaveh Farnam.

Në dramën fituese trajtohet ndikimi i dënimit kapital në shoqëri dhe gjendjen njerëzore.

Në këtë dramë shpalosen katër histori individuale të burrave dhe grave për dënimin me vdekje në Iran duke filluar nga ekzekutuesi deri tek familjet e viktimave.

Trofeun për aktoren më të mirë e fitoi aktorja gjermane Paula Beer, për rolin e saj në filmin “Undine” të regjisorit gjerman, Christian Petzold.

“Ariun e Argjendtë” për aktorin më të mirë e mori italiani Elio Germano për interpretimin e personazhit të piktorit zviceran Antonio Ligabue.

Filmi italian “Favolacce” fitoi Ariun e Argjendtë për skenarin më të mirë. Ndërsa çmimi i madh i jurisë iu dha “Never Rarely Sometimes Always” të regjisores Eliza Hittman nga ShBA. Kameramani Jürgen Jürges mori gjithashtu një ari për filmin “Dau.Natasha” të Ilija Çrshanovksit.

Filmi i vetëm me pjesëmarrje nga Kosova, Exil, i regjjisorit Visar Morina, nuk arriti të merrte çmimin e publikut, që jepet për rubrikën Panorama, ku garoi.

Ky çmim iu dha filmit dokumentar “Otac” të regjisorit serb, Srdan Goluboviq.