Iniciativa "Rritu Shnetshëm" jep rekomandimet para Komisionit për Shëndetësi - Foto: KALLXO.com

Fëmijët Kosovarë Konsumues të Mëdhenj të Pijeve Energjike

Konsumimi i pijeve energjike nga personat nën moshën 18-vjeçare në Kosovë është shumë i madh. Kështu është thënë në një debat të organizuar nga Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe anëtarë të iniciativës “Rritu Shnetshëm”, prej ku kanë dalë rekomandime se si të frenohet kjo dukuri.

Në debatin “Iniciativë e të rinjve për ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nga personat nën moshën 18-vjeç”, Afrim Berisha nga iniciativa “Rritu Shëndetshëm” foli për efektet negative të këtyre pijeve.

Kryesoret, sipas tij janë çrregullimet funksionale kardiake, kokëdhembja, rritja e anksiozitetit, pagjumësia, rritja e të rrahurave të zemrës, rritja e shtypjes së gjakut dhe të tjera.

“Kur iu referohemi të gjeturave për fëmijët del një jo informim i saktë i prindërve se sa konsumojnë fëmijët e tyre pije energjike për shkak se 74 për qind kanë thënë që konsumojnë pije energjike ndërsa prindërit kanë thënë rreth 50 për qind se nuk konsumojnë, që i bie se ka fëmijë që konsumojnë pije energjike edhe pa dijeninë e prindërve”, tha Berisha.

Sipas një hulumtimi të “Rritu shnetshëm”, rreth 50 për qind e fëmijëve konsumojnë pije energjike një deri në tre herë brenda javës,  ndërsa çdo ditë pinë mbi 13 për qind e fëmijëve.

Berisha tha se rezultatet janë shqetësuese dhe duhet të ndërhyhet në këtë drejtim.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale Flora Brovina u premtoi përkrahje këtyre të rinjve.

“Do të provojmë t’i qasemi shumë seriozisht, do t’i marrim në konsiderim vërejtjet e juaja dhe do t’i adresojmë atje ku janë të nevojshme”, tha Brovina.

Këta të rinj rekomandojnë që të kërkohet nga praktikuesit shëndetësorë t’i informojnë fëmijët e prindërit për rreziqet e përdorimit të pijeve energjike, të planifikohen fushata në shkolla për informim, të vendosen shenja informuese +18, të ndalohet shitja e tyre në afërsi të shkollave, të krijohet një kornizë ligjore për caktimin e një limiti për sasinë e kafeinës në këto pije dhe të rriten taksat e këtyre produkteve.