Albin Kurti e Enver Dugolli - Foto: Facebook

Enver Dugolli i Bashkohet Vetëvendosjes

Kryetari i Lëvizjes Vetëvenosje, Albin Kurti, ka njoftuar se radhëve të partisë së tij i është bashkuar Enver Dugolli, ish-pjesëtar i TMK-së, më pas oficer i FSK-së, e më vonë atashe ushtarak në ambasadën e Kosovës në Tiranë.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka thënë se me Dugollin ka qenë në të njëjtën qeli në burgun e Nishit, kur ishin arrestuar nga regjimi serb për shkak të angazhimit të tyre në UÇK.

Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit:

“Mbi 10 vjet gjithsej si i burgosur politik, shtatë vjet në TMK, 10 vjet në FSK si kolonel, prej këtyre të fundit gati katër vjet si atashe ushtarak në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, me gjeneralin në pension Enver Dugollin sot ishim bashkë për homazhe në Prekaz, dhe, tash e tutje do të jemi bashkë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Tre muaj kemi qenë në të njëjtën qeli C-17 në Burgun e Nishit në fillim të vitit 2000. Na presin shumë punë e sfida bashkë. Dija, përvoja dhe ndershmëria e tij na e shtojnë fuqinë”.