Bodo Weber (në mes), ekspert i çështjeve kushtetuese. Foto: Atdhe Mulla

Eksperti Gjerman: Vendimi i Kushtetueses për Asociacionin Është Konfuz

Eksperti gjerman nga Këshilli për Demokratizim të Politikave, Bodo Weber, tha sot se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është konfuz në vetvete.

“Vendimi në përgjithësi mbetet një vendim konfuz sepse fillimisht është gjuhë shumë e zbehtë e thjeshtë”, tha eksperti gjerman.

Vendimi i kushtetueses i 23 dhjetorit të vitit të kaluar konkludon se marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe serbisë në shumë pika është kundër-kushtetues.

Komentet e ekspertit kushtetues nga Gjermania u bënë në një konferencë të organizuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova në të cilën është duke u publikuar raporti më i ri për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Raporti i iniciativës BIG DEAL (Marrëveshja e Madhe) i titulluar “Truku i ngathtë: Pasiguri kushtetuese, jostabilitet politik dhe sundimi i ligjit në dialogun Kosovë-Serbi” shqyrton rrugën përpara për zbatimin e marrëveshjeve kryesore menjëherë pas vendimit të dhjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për parimet e përgjithshme të Bashkësisë/Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Autori i këtij raporti, Bodo Weber tha se është shumë me rëndësi lidhja ndërmjet Kushtetutës dhe politikës.

“Ka pasur intervenime nga BE dhe SHBA në rajon që ka rezultuar në marrëveshje rajonale. Mirëpo rezultatet janë shumë te zbehta”, u shpreh Weber.

“Duke marrë një rrugë të mesme, Gjykata Kushtetuese nuk mundi ta shmangë atë që synoi, duke krijuar komplikime në procesin e dialogut Kosovë- Serbi”, u shpreh ai.

Publikimi i raportit përkon edhe me trevjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së parë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë. Ai analizon kryesisht pasojat që ka shkaktuar vendimi i dhjetorit të vitit të kaluar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për marrëveshjen për themelimin e Bashkësisë/Asociacionit si dhe ofron rekomandime për qeveritë e Kosovës, Serbisë dhe për Bashkimin Evropian për rrugën përpara në procesin e dialogut.