Prishtina. Foto: AP

Edhe në 2017-ën Pabarazi Gjinore në Punësim

Punësimi i burrave vazhdon të jetë dominues në raport me gratë, por gjithashtu pjesa më e madhe të punësuarve nuk kanë një kontratë të përhershme.

Edhe në vitin 2017 vazhdon të ketë dallime të mëdha në punësim sipas gjinisë.

Sipas raportit “Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP) 2017” mbi 46 për qind e të punësuarve janë burra, ndërsa punësimi gratë është mbi 12 për qind. Burrat më shumë janë të punësuar në ndërtim, tregti e prodhim, ndërsa gratë në arsim e shërbime shëndetësore.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.

Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.8%.

Punësimi

Shkalla e punësimit sipas anketës është 29.8 për qind.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave punët më të rënda i bëjnë burrat përderisa më të lehtat i kryejnë gratë.

“Punësimi me i lartë është te burrat (46.6%), ndërsa punësimi te gratë është 12.7%. Gratë janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë, me 48.4 % të tyre, ndërsa burrat janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 45.9%”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.7 për qind, prodhimi me 13.2 për qind, ndërtimtaria me 12.9 për qind dhe arsimi me 9.5 për qind. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Pjesa dërrmuese e të punësuarve kanë kontrata të përkohshme.

“Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 29.4% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.6% kanë kontratë të përkohshme”, thotë ASK-ja.

Papunësia

Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore, në vitin 2017 shkalla e papunësisë është 30.5%.

“Papunësia më e theksuar është te gratë me 36.6 %, krahasuar me burrat, 28.7%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeçare me 52.7%.

Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore në vitin 2017 fuqia joaktive është mjaft e lartë- 57.2%, me fokus të veçantë te gratë- 80.0%, krahasuar me burrat, 34.7%. “