Dyshime për keqpërdorime nga Qeveria Haradinaj ndihmat shkuan në investime luksi

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Zyra e Kryeministrit ka ndarë subvencione për personat fizik duke mos e përfillur fare vendimin e Qeverisë dhe pa i shqyrtuar fare kërkesat.

Çdo kërkesë për subvencion që shkon në Zyrën e Kryeministrit, qoftë nga personat fizik apo juridik duhet të prezantohet dhe miratohet para Komisionit për shqyrtimin kërkesave dhe projekteve.

Auditori ka gjetur se për 51 raste të kërkesave të personave fizik, të cilët kanë pasur kostot prej 318 euro nuk është formuar fare komisioni për vlerësimin e këtyre kërkesave.

“Për 51 raste të personave fizik me pagesë totale prej 318,500.00€, nuk është formuar komision për vlerësimin e këtyre kërkesave, edhe pse vendimet janë të nënshkruara nga Kryeministri”, thuhet në raportin e Auditorit.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës e kishte rregulluar këtë çështje përmes një vendimi në shkurt të vitit të kaluar, 2018.

Neni 11, pika 2 e këtij vendimi thotë se para se Qeveria të vendos për dhënien e subvencionit duhet të themeloj një komision që dot ë vendos për kërkesën e palës.

“Sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, me propozimin e ZCK-së (Zyra për Çështje të Komuniteteve) themelon komisionin për shqyrtimin e kërkesave dhe projekteve për ndarjen e subvencioneve për personat fizikë dhe juridik”, thuhet në këtë vendim të Qeverisë.

Ky komision do duhej të përbëhej prej 3 personave, sipas vendimit të Qeverisë.

Auditori ka gjetur se në rastet kur është aplikuar vlerësimi nga Komisioni, në rastet e dhënies së subvencioneve për personat fizik, ka pasur raste që ndihmat janë përdorur për meremetime luksi.

“Sa i përket mbështetjes financiare ku është aplikuar vlerësimi nga komisioni, vlen të ceket se duke mos përfshirë rastet e domosdoshme për ndihmesë, tek subvencionet për persona fizik kemi hasur në dhënien e ndihmave që janë përdorë për meremetime luksi, siç janë: blerja e roletave dhe zbukurimi me fasadë. Konkluzioni është se jo të gjitha kërkesat janë vlerësuar me objektivizëm”, thuhet në mes tjerash në raportin e Auditorit.

Auditori ka kërkuar nga sekretari i Zyrës së Kryeministrit dhe nga Zyra për Çështje të Komuniteteve që të sigurohen që të respektohen rregulloret në fuqi mbi shpenzimin e parasë publike dhe të rrisë aktivitetin monitorues.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Zyrën e Kryeministrit.