Foto: KALLXO.com

Mungon i akuzuari Alban Gashi dhe avokati i tij, dështon të mbahet seanca në rastin që ka të bëjë me krim të organizuar

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet seanca ndaj të pandehurit Alban Gashi, i cili akuzohet për krim të organizuar.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu Selimaj, në fillim të seancës të datës 06.06.2024 bëri të ditur se nuk është i pranishëm i akuzuari Alban Gashi edhe pse ftesën e ka pranuar në mënyrë të rregullt.

Po ashtu, nuk është i pranishëm as avokati mbrojtës i tij, Besnik Berisha.

Avokati Besnik Berisha i kishte dorëzuar kërkesë Gjykatës për shtyrje të seancës për shkak se në datën dhe kohën e njëjtë e kishte të caktuar një seancë tjetër në Gjykatën e Prizrenit.

I pandehuri Alban Gashi nuk kishte pranuar që ta përfaqësojë ndonjë avokat tjetër dhe për këtë arsye Gjykata konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës.

Prokurore në këtë çështje është Florie Shumolli.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 20.06.2024 në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës para trupit gjykues të kryesuar nga Valbona Musliu Selimaj dhe anëtarët Musa Konxheli dhe Kushtrim Shyti.

Kujtojmë se në këtë çështje penale kanë qenë 5 të akuzuar, mirëpo ndaj 4 prej tyre është shpallur aktgjykim dënues.

Xhemajl Shala, Sadik Shala, Iskender Sale dhe Alban Gashi ishin dënuar me 26 vite dënim me burgim dhe 65 mijë euro dënim me gjobë.

Gjykata i ka shqiptuar Xhemajl Shalës dënim me burgim me kohëzgjatje prej 9 vite (dënim unik) dhe 25 mijë euro dënim me gjobë. Ndërsa Sadik Shalës Gjykata i ka shqiptuar 7  vjet dënim me burgim si dhe dënim me gjobë prej 15 mijë  euro. Kurse Iskender Sale është dënuar me  9 vjet dënim me burgim (dënim unik) si dhe dënimin me gjobë prej 25 mijë euro.

Gjithashtu Gjykata ka gjetur fajtor Alban Gashin dhe të njëjtit i ka shqiptuar 1 vit dënim me burgim për veprën penale – dhënia e ndihmës në kryerjen e veprës penale, legalizim i përmbajtjes së rremë, ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale – falsifikim i dokumenteve.

Lidhur me të akuzuarin Alban Gashi, Supremja nuk ishte pajtuar me vendimin e Apelit dhe të Themelores, duke e kthyer rastin për t’u gjykuar edhe një herë tjetër.

Çka thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, Xhemajl Shala dhe Iskender Sale më 19.10.2018 në Shqipëri me të kuptuar se u janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit kanë paraqitur fakte të rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq dhe atë ekstraktet e lindjes.

Sipas aktakuzës, i ndjeri N.C. i kishte vënë në kontakt me të pandehurin Alban Gashi, nga ai i kishin siguruar këto ekstrakte të lindjes, të shoqëruar nga i pandehuri Alban Gashi janë takuar edhe me një person ende të paidentifikuar, shok i të pandehurit Alban Gashi, i cili i kishte shoqëruar në qendrën e regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq për të aplikuar për dokumente edhe pse të pandehurit e kishin ditur se veprimi i tyre ishte i kundërligjshëm, me ç’rast duke paraqitur fakte të rreme i kishin vënë në lajthim zyrtarët në qendrat e regjistrimit dhe kishin arritur të sigurojnë dokumente me identitete të rrejshme.

Tutje sipas aktakuzës me këtë i akuzuari kishte kryer veprën penale – legalizimin i përmbajtjes së rreme.

Sipas aktakuzës në periudhën kohore tetor – nëntor 2018, i pandehuri Alban Gashi me dashje u ka ndihmuar në shmangien, zbulimin dhe mosarrestimin e tyre të pandehurve – shtetasve turq Xhemal Shala, Iskender Sale dhe të ndjerin N.C. nga organet e ndjekjes të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe bërjen e tyre të pakapshëm për organet e drejtësisë dhe me qëllim të përfitimit pasuror, në mënyrë të kundërligjshme u ka ndihmuar në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare ( letërnjoftimin dhe pasaportën e Kosovës).

Me këtë Prokuroria e akuzon të pandehurin se ka kryer veprën penale – dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.