Dramat për Luftën Shpërblehen nga Ministria e Kulturës

“Askushi”, “Një botë më tutje” dhe “Shtrati me gozhda” tri dramat që janë  fituese, trajtojnë luftën lirinë dhe paqen në mënyra të ndryshme.

Autorit të dramës “Askushi” Bashkim Hoxha që erdhi nga Shqipëria për ta marrë çmimin, i pëlqeu që u shpërblye në Kosovë.

“Ndihem i emocionuar e aq më tepër kur ky çmim vjen nga Prishtina, gjë e cila përveç faktit se konfirmohet një dramë, konfirmohet se jemi të gjithë një,” tha ai.

Kryetari i Komisionit Vlerësues Besim Rexhaj tha se në dramën e Bashkim Hoxhës “askush” i vrarë në luftë, vritet edhe njëherë në paqe.

“Drama ‘Askushi’ artikulon problemet e lirisë dhe të paqes dhe tërthorazi shqipton atë idenë se ndërtimi dhe përfundimi i paqes mund të jetë më i vështirë sesa tmerret e luftës në kohë të luftës,” tha Rexhaj.

Autori i dramës “Një botë më tutje” Ardian-Christian Kyçyku nuk ishte I pranishëm në ndarjen e çmimeve mirëpo çmimin për të e mori babai i tij Kopi Kyçyku.

Rexhaj si kryetar komisioni foli edhe për dramën e Kyçykut.

“Drama ‘Një botë më tutje’ sado u referohet tre brezave, sado mund t’u referohet në rrafshin imagjinar e simbolik zhvillimeve politike, shoqërore, kombëtare të historisë sonë më të re. Fokuson në epiqendrën e saj përpjekjet fisnike dhe njëkohësisht edhe tragjike të shmangies së luftës,” tha Rexhaj.

Çmimin e tretë për Dramën Origjinale Shqipe e pranoi autori i dramës “Shtrati me gozhda” Pashtrik Brahaj, i cili është student i vitit të dytë në dramaturgji.

Sipas Rexhajt edhe drama e Brahajt ka temë të luftës.

“Në kontekstin e dramës së luftës së vitit 1999, apo në margjinat e kësaj drame që i thonë dramë kolektive ose kombëtare, zhvillohet drama  individuale dhe bashkëshortore e një familjeje e cila ishte goditur egërsisht nga regjimi i kohës para se të fillonte lufta,” tha kryetari i komisionit.

Në bazë të rregullores së Ministrisë së Kulturës, drama që ka fituar çmimin e parë konsiderohet si dramë potenciale për inskenim në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërkaq të tri dramat fitojnë të drejtën e leximit skenik në këtë teatër dhe të botimit, si dhe shpërblehen financiarisht.

Çmimi i parë ka vlerën 3600 euro, i dyti 2400 euro dhe i treti 1200 euro.

“Askushi”-Drama që Fitoi