Aksident trafiku - Foto: Rtv21

Dita botërore e përkujtimit të viktimave në trafik

E diela e tretë e muajit nëntor, është Dita botërore e përkujtimit të viktimave në trafikun rrugor.

Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe për mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Për nder të Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor, bëhet ndezja e qirinjve në përkujtim të viktimave që kanë humbur jetën në aksidente në trafikun rrugor.

Sipas njoftimit, ndezja e qirinjve do të bëhet para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00.

Aksidentet e trafikut tash e sa vite nuk janë sfidë vetëm e shoqërisë dhe vendit tonë, por një shqetësim i madh global, i cili në shumicën e vendeve të botës është vrasësi më i madh i njerëzve.

Vetëm gjatë periudhës janar-nëntor 2018, kanë ndodhur 81 aksidente fatale, ku si pasojë kanë vdekur  rreth 103  persona.

Të premten në aksidentin në Mramor të Prishtinës kanë humbur jetën 4 familjarë, kurse dje një grua ka humbur jetën në një aksident në Malishevë./21Media