Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dënohet i Akuzuari për Terrorizëm që e Pranoi Fajësinë

Me dy vjet e gjysmë burgim është dënuar i akuzuari për terrorizëm, Ardian Alijaj. Në fakt, Gjykata e ka respektuar marrëveshjen e arritur mes prokurorit special dhe të akuzuarit.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Arian Alijaj do ta pranonte fajësinë e në këmbim të kësaj prokurori Abdurrahim Islami do të kërkonte nga Gjykata dënimin që tashmë është shpallur.

Për arritjen e marrëveshjes kishte njoftuar prokurori Islami në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kur edhe u lexua aktakuza.

http://kallxo.com/marreveshje-per-pranim-fajesie-te-akuzuarin-per-terrorizem/

Sipas aktakuzës, Arian Alijaj dhe Artan Kadriu akuzohen se nga data e pacaktuar e muajit mars të vitit 2016 i janë bashkuar grupeve-formacioneve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë dhe në momentin kur nga shteti i Sirisë janë kthyer në Turqi janë ndaluar më datën 21 maj 2016 nga autoritetet turke së bashku me disa persona të tjerë dhe më 31 maj janë ekstraduar në Kosovë.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – bashkim apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, paraparë me Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Në seancën fillestare avokati i Arian Alijajt, kishte propozuar që procedura për të mbrojturin e tij të veçohet, propozim që ishte pranuar nga Gjykata.

Sipas marrëveshjes, në dënimin prej 2 vjet e gjysmë burgim të akuzuarit Arian Alijaj do t’i llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim.