Çmimi Jetësor si Rikthim nga Harrimi

Fituesi i çmimit kryesor Selman Jusufi i cili i ka kushtuar teatrit 45 vjetët e jetës së tij gjatë pranimit të çmimit tha se ka pasur raste kur është ndjerë i harruar edhe nga publiku.

“Duke i besuar parimit se analiza kritike dhe vlerësimi mbi artin dhe punën e artistit nuk do të mungojë për këto dyzet e pesë vjet në dërrasat e skenës që dikush i ka quajtur jetë mua më ka mbajtur gjallë ndoshta një lloj ndërgjegjeje krijuese, një model i krijimit që në çdo rast dhe kohë e kam pranuar si një lloj misioni edhe atëherë kur shkalla e vlerës dhe e antivlerës kanë qëndruar në të njëjtin pozicion edhe atëherë kur kam menduar se jemi harruar nga zoti dhe audienca,” u shpreh ai.

Çmimi Vjetor për shfaqjen më të mirë për vitin 2015 iu dha Teatrit Profesionist nga Prizreni për shfaqjen “Shërbëtori i dy zotërinjve”.

Shfaqja “Shërbëtori i dy zotërinjve” është shpallur si shfaqja më e mirë sipas komisionit vlerësues për shkak se ka një qasje konspirale dhe kreative me një interpretim harmonik të aktorëve dhe një potencial të madh komunikimi me publikun.

Kurse çmimi vjetor për prezantim më të suksesshëm ndërkombëtar për vitin 2015 i është ndarë shtëpisë teatrore filmike “Akt”.

Sipas komisionit, shtëpia teatrore filmike “Akt” ka bërë një prezantim serioz të shfaqjeve teatrore kosovare dhe ka ndikuar në promovimin e jetën teatrore kosovare edhe jashtë kufijve të vendit tonë.

Çmimi për regjinë më të mirë i ndahet Bekim Lumit për shfaqjen John Cage’s Hamlet i cili tha se i janë dashur 20 vjet punë për ta fituar këtë çmim.

“Po dëshiroj me e vu gishtin në një plagë që e ka teatri ynë në raport me skenën e pavarur teatrore e cila ka nevojë që të mbështetet jashtëzakonisht shumë me subvencione dhe donacione sidomos nga institucionet tona teatrore,” kërkoi ai.

Çmimin për aktoren më të mirë e ka fituar Teuta Krasniqi për rolin e Shkurtës në shfaqjen “Gishti”.

“Puna jonë dhe profesioni jonë është një profesion që kërkon shumë shpirt, shumë mund dhe shumë sakrificë, mirëpo në moment kur vlerësohemi dhe kritikohemi për këtë punë është një kënaqësi e madhe dhe e pakrahasueshme,” u shpreh aktorja.

Çmimet Vjetore për Teatër kanë vlerë financiare. Çmimin për vepër jetësore merr 5 mijë euro, ndërkaq çmimet tjera nga 2500 euro.