Çitaku: Zyrtari rus i UNMIK-ut me dëshirë u bë mburojë e bandave kriminale

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, në fjalimin e saj në sesionin e rregullt për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka folur edhe për rastin e zyrtarit rus të UNMIK-ut, i cili ishte arrestuar në veri të vendit gjatë operacionit të Policisë së Kosovës kundër rrjeteve të kontrabandës dhe kriminalitetit.

Sipas diplomates kosovare, zyrtari i UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov, ishte ndaluar nga Policia e Kosovës pasi që kishte përdorur veturën me tabela të UNMIK-ut për të penguar zyrtarët policorë të kryenin operacionin e 28 majit 2019.

Çitaku tha po ashtu se zyrtari i UNMIK-ut kishte bartur motosharrën me të cilën ish-prerë dru dhe ishin vendosur në rrugë. Përveç kësaj, tha ambasadorja, Krasnoshchenkov e vendosi edhe veturën me tabela të UNMIK-ut si barrikadë kundër depërtimit të forcave policore.

“Ai ka refuzuar të bashkëpunojë dhe ka kundërshtuar ofrimin e dokumenteve identifikuese. Pas kundërshtimit, ai është arrestuar dhe është dërguar në stacionin policor dhe i është dhënë trajtimi mjekësor në Spitalin e Mitrovicës. Sipas raportit mjekësor, ai nuk kishte asgjë serioze”, shtoi Vlora Çitaku, duke treguar se me kërkesën e zyrtarit të UNMIK-ut ai është liruar dhe lejuar të shkojë në Beograd.

Ambasadorja Çitaku tha se me veprimet e tij, zyrtari rus i UNMIK-ut ka vënë në rrezik jetët e policëve të Kosovës.

Ajo mohoi se në shënjestër ishte misioni i OKB-së, duke theksuar se asnjë zyrtar i UNMIK-ut në 20 vitet e fundit nuk është përballur me ndonjë sulm.

“Krasnoshchenkov me dëshirë u bë mburojë e bandave kriminale, që tentonin të pengonin operacionin policor. Kjo s’ka të bëjë asgjë me mandatin e UNMIK-ut në Kosovë”, tha ajo.

Zyrtari i UNMIK-ut Mikhail Krasnoshchenkov është shpallur ‘persona non grata’ nga autoritetet e Kosovës.

KALLXO.com ofroi pamje ekskluzive nga momenti i arrestimit të zyrtarit rus të UNMIK-ut.

https://kallxo.com/pamje-ekskluzive-nga-arrestimi-i-pjesetarit-rus-te-unmik-ut/

Gjatë fjalimit të saj, Vlora Çitaku ka kujtuar se saktësisht 20 vjet më parë, më 10 qershor 1999, KS i OKB-së kishte miratuar rezolutën 1244, në bazë të së cilës u themelua UNMIK-u dhe do të qeverisej Kosova pas përfundimit të luftës.

Ajo tha se kontributi i UNMIK-ut nuk do të harrohet kurrë nga populli i Kosovës.

“Na keni mbajtur dorën gjatë tranzicionit dhe në momentet më të vështira”, tha diplomatja kosovare, duke kërkuar sërish që të shuhet UNMIK-u dhe që resurset e OKB-së të shfrytëzohen diku tjetër.