Kulla në aeroport | Foto: KALLXO.com

Çfarë ndodhi kur u ndal rryma dhe nuk u ndez gjeneratori i Aeroportit?

Në të paktën dy raste, Aeroporti i Prishtinës ka pësuar ndërprerje të rrymës elektrike.

Megjithatë ka mendime të ndara nëse ky Aeroport ka nevojë të ketë dy gjeneratorë në dizpozicion gjatë tërë kohës.

Bujar Ejupi , ish- Zv.Drejtor për Administratë dhe Financa në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), foli për nevojën që sipas tij ka Aeroporti për të pasur edhe një gjenerator rezervë.

“Në kohën kur është lëshuar kulla ka pasur ekspertë që kanë thënë se nuk është në bazë të standardeve sepse kulla duhet me ardhë jo veç si objekt por duhet të vijë edhe me pajisje të rrymës dhe aty thuhet se duhet të jenë dy gjeneratorë dhe nuk janë”, tha Ejupi.

Megjithatë, sipas Dritan Gjonbalajt, shef i Autoritetit të Aviacionit Civil ndërprerjet e rrymës nuk janë të jashtëzakonshme,

“Për fat të keq në aviacion civil ndodhin ndërprerje të furnizimit me energji. Dështimet në pajisje fatkeqësisht ndodhin dhe jo vetëm në Kosovë”, tha Gjonbalaj.

Po ashtu Arianit Islami nga AAC konsideron se mjaftojnë që një gjenerator dhe  bateritë të jenë funksionale

“Gjithmonë është parashikuar se mund të ndodhë të vijë deri tek ndalja e rrymës dhe standardet ndërkombëtare e parashikojnë që duhet të jetë funksioni primar edhe gjeneratorët sekondarë. Ne e kemi edhe më mirë se i kemi bateritë, që mund ta mbajnë pajisjen deri sa gjeneratori të funksionalizohet. Automatiku atë ditë ka dështu të dhezet vetvetiu por bateritë kanë funksionuar”, tha Islami.

Në anën tjetër ‘Jeta në Kosovë’ ka gjetur se në disa aeroporte rajonale ekzistojnë nga dy gjeneratorë.

Në këtë emision u transmetua pjesa e dytë e hulumtimit për Aeroportin e Prishtinës, ndërsa emisioni i parë kishte trajtuar parregullsitë në përmbushjen e marrëveshjes për koncesionimin e Aeroportit nga kompania Limak.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: