Ivica Daçiq

Bullgaria: Deklarata e Daçiqit, e papranueshme

Ambasadori i Serbisë në Bullgari Vladimir Çurgus ishte në bisedime me Ministrinë e Punëve të Jashtme të atij vendi, pas komenteve të ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq drejtuar kryeministrit Boyko Borissov.

Agjencia BTA transmeton një deklaratë të Ministrisë bullgare në të cilën thuhet se në takim diplomatit serb i është bërë me dije se deklarata e Daçiq është e papranueshme dhe në kundërshtim me pritjet bullgare të marrëdhënieve miqësore dhe fqinjësisë së mirë.

Pala bullgare pret që deklarata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, sipas një deklarate nga Ministria.

Arsyeja për thirrjen e ambasadorit të Serbisë në Sofje është komentimi i Daçiqit ndaj deklarimeve të kryeministrit Borissov në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan.

Borissov me atë rast theksoi se Josep Borrell si shef i ardhshëm i diplomacisë së BE-së, duhet të përfaqësojë qëndrimin e të gjithë Bashkimit Europian, pa marrë parasysh se Spanja nuk e njeh Kosovën.

Daçiq porositi Borissovin se qëndrimi i Bashkimit Europian nuk është se Kosova është e pavarur dhe se kryeministri bullgar duhet ta respektojë këtë qëndrim, dhe jo t’i japë leksione kreut të ardhshëm të diplomacisë europiane./21Media