Vizita e Biden-it në Serbi | Foto: Beta

Biden në Serbi për Progresin e saj Drejt BE-së

Takimet pritet të kenë në fokus ambiciet e anëtarësimit të Serbisë në BE  dhe marrëdhëniet e saj me Kosovën dhe Rusinë.

Biden u prit në Eeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit nga ministri i Jashtëm Ivica Daçiq para se të nisej për takimet në kryeqytet dhe për pritjen  ceremoniale nga Kryeministri Aleksandar Vuçiq në Pallatin “Serbia”.

Analistët e shohin vizitën si një demonstrim mbështetjeje për ambiciet e shtetit ballkanik për anëtarësim në BE, por pritet gjithashtu që njëra nga temat e diskutimit në takimet me Vuçiqin dhe Presidentin serb Tomislav Nikoliq do të jenë marrëdhëniet e acaruara të  Serbisë me Kosovën.

Gjithashtu në rendin e ditës  gjatë takimeve do të jenë  edhe vrasjet e pazgjidhura të vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare që luftuan për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para të vriteshin në Serbi më 1999.

Përpos kësaj, edhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë do të diskutohen përpara vizitës së  Kryeministrit rus Dimitri Medvedev në Serbi që pritet të ndodhë në fillim të shtatorit.

Ndërkohë gazeta serbe “Politika” raportoi më 13 gusht që katër ish-të burgosur në  Guantanamo Bay  do të zhvendosen në Serbi në prag të vizitës së Biden-it.

Dy të burgosur të tjerë të  liruar nga  Guantanamo, shtetasi nga Tagjikistani Muhammadi Davlatov dhe ai nga  Jemeni Mansur Ahamd Saad al-Dayfi mbërritën në Serbi më 11 korrik gjatë një vizite të ndihmëssekretares amerikane të shtetit Victoria Nuland.

Raporte të pakonfirmuara  thonë se Biden gjatë vizitës së tij do të shoqërohet nga ana e bashkëshortes së tij dhe një delegacioni prej më shumë se  400 personash, ndërsa niveli më i lartë i mundshëm i sigurisë do të vendoset në Beograd.

Pas Beogradit, Biden do të niset  për në Prishtinë ku pritet të mbërrijë të martën në mbrëmje.

Të mërkurën Biden  do të zhvillojë takime me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Biden gjithashtu do të marrë pjesë në një ceremoni për emërtimin e një rruge në nder të  djalit të tij të ndjerë Beau Biden pranë Kampit Bondsteel, baza kryesore për trupat amerikane që shërbejnë me forcat e NATO-s në Kosovë.