Një fshat në Kosovë pas luftës. Foto: Flickr/ Marietta Amarcord.

"Beteja" e Humbur për Dëmet e Luftës

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk është fundi i problemit dhe fillimi i pajtimit me shtetin e Serbisë.

Shteti serb, që në vitin 1999 u bombardua nga Aleanca e NATO-së derisa largoi të gjithë trupat e tij nga Kosova, ende nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk i ka kthyer rreth 1500 shqiptarë të zhdukur, por gjithashtu ende se ka bërë pagesën e reparacioneve, ose dëmeve të luftës në Kosovë.

Mirëpo në Kosovë është diskutuar disa herë se për të vazhduar përpara është shumë e rëndësishme kërkimfalja e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë si dhe kthimi i të zhdukurve. Në Kosovë është diskutuar pak e punuar edhe më pak për dëmet e luftës, që supozohet se janë shifra të larta.

Ish ministrja e Dialogut Edita Tahiri që mandatin e kaluar i ka udhëhequr bisedimet e Brukselit me Serbinë tha për KALLXO.com se tema e dëmeve të luftës dhe dëmshpërblimi që Serbia duhet t’ia paguajë Kosovës do të diskutohet në fazën përfundimtare të dialogut.

“Tema e dëmeve të luftës dhe dëmshpërblimi që Serbia duhet t’ia paguajë Kosovës për luftën agresore dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve do të jetë në agjendën e dialogut të Brukselit në fazën përfundimtare”, tha Tahiri.

Megjithatë ajo thotë se kjo çështje është propozuar nga Kosova që në fillimet e dialogut me Serbinë, mirëpo pas refuzimit nga pala serbe, kjo çështje sipas kërkesës së palës kosovare ka mbetur të diskutohet në fazën finale të dialogut.

“Në dokumentin e dorëzuar në vitin 2014 tek BE-ja, ne si qeveri e asaj kohe kemi vënë si kërkesa që faza përfundimtare e dialogut duhet ta zgjidhë edhe çështjen e reparacioneve të luftës përkatësisht dëmshpërblimi për dëmet e luftës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, siç ndodh me të gjitha shtetet që kanë qenë në luftë, ku pala agresore ka obligim t’i paguajë dëmet e luftës”, tha Tahiri.

Mirëpo sipas Tahirit, parimet e dialogut thonë se për temat e diskutimit duhet të ketë konsensus trepalësh dhe se asnjëra nuk mund të imponojë tema.

Ndërsa Nora Ahmetaj nga organizata Centre for Research, Documentation and Publication (CRDP) që para disa viteve ka publikuar një punim të gjatë në lidhje me pagesën e reparacioneve të luftës, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se institucionet vendore asnjëherë nuk kanë bërë llogaritë e dëmeve të luftës. Megjithatë, ajo sjell në kujtesë një tentim të Qeverisë së Kosovës në vitin 2004, kur kryeministri i atëhershëm, Bajram Rexhepi themeloi një komision, i cili asnjëherë nuk u funksionalizua.

“Në vitin 2004 sa ka qenë kryeministër Bajram Rexhepi e themelon një komision për llogaritje të humbjeve ekonomike, përkundër disa tentativave, ai Komision kurrë nuk punoi dhe nuk dha ndonjë rezultat konkret, por as kalkulime. Unë i pata kërku disa herë ato të dhëna, por pa rezultat”, tregon Ahmetaj.

Ajo kujton që në 2003, Bashkimi Europian publikoi një raport me analiza të nxjerra nga disa OJQ ndërkombëtare rreth shkatërrimit të pronës private dhe shtetërore në Kosovë gjatë luftës, por që më vonë ai punim ishte larguar nga interneti.

Ahmetaj thotë se kosovarët i kanë lënë shumë hapësirë vendimmarrës së bashkësisë ndërkombëtare, e që sipas saj BE-ja nuk e pa të udhës që Kosova të dëshmojë të kaluarën, meqë Serbisë tashmë i ishte marrë Kosova.

“Mendoj qe kosovarët i lanë shumë hapësirë për vendimmarrje bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa ata vetë nuk e panë të udhës që Kosova të dëshmojë të kaluarën ngase Kosova iu mor Serbisë (mendim imi personal) dhe NATO e bombardoi Serbinë, kështu që gjithçka tjetër ishte e tepërt të kërkohej nga Serbia. Mos të harrojmë se reparacionet – dëmshpërblimet janë ngushtë të lidhura me marrjen e përgjegjësisë së fajit dhe ballafaqimin e atij shteti me të këqijat që ka bërë. Serbia as sot e kësaj dite nuk pranon se ka kryer krime në Kosovë, ngase kjo do të linte pasoja të mëdha në përgjegjësinë dhe imazhin e Serbisë në arenën ndërkombëtare”, tha Ahmetaj për KALLXO.com.

Ajo thotë se në 2010 kishte themeluar CRDP-në e kishte bërë me qëllim që të tentonte llogaritjen e dëmeve ekonomike, meqë Fondi për të Drejtën Humanitare dhe KMDLNJ kishin dokumentar humbjen në njerëz.

Ajo s’kishte arritur ta niste projektin për kalkulimin e dëmeve të luftës për shkak që nuk kishte arritur të merrte mbështetje financiare për këtë.

“Për dy vite kam punuar në projekt- propozim dhe gjetjen e një instituti ndërkombëtar i cili do të na ndihmonte të punojmë me metodologji shkencore dhe në analiza për kalkulimin e dëmeve të luftës. Kemi kontaktu me profesorët e Institutit për ‘Conflict Analysis’ pranë Universitetit ‘Sussex’ ne Angli, dhe kemi bërë përllogaritjet se sa do të na kushtonte ekipi i cili do të analizonte të dhënat statistikore të mbledhura në teren. Ideja nuk u finalizua kurrë, ngase ka qenë e pamundur të gjenden fonde nga komuniteti i donatorëve”, tregoi Nora Ahmetaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas saj, donatorët potencialë ishin arsyetuar se çështja e pronave është e ndjeshme dhe jo mirë e zgjidhur në Kosovë dhe se iniciativa të tilla do duhej të financoheshin nga vetë institucionet shtetërore.

“Pa të dhëna të tilla, kosovarët kot e kanë të flasin për luftën dhe humbjet. Bota nuk funksionon me fjalë boshe dhe pa fakte. E në faktet nuk i kemi”, thotë tutje Ahmetaj.

Në një intervistë të mëhershme për KALLXO.com, profesori i ekonomisë dhe ish deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa kishte thënë se Serbia i ka borxh Kosovës rreth 20 miliardë dollarë.

Mustafa e kishte udhëhequr ekipin e ekspertëve të ekonomisë në bisedimet teknike të Vjenës për statusin e Kosovës.

Ai kishte deklaruar se Serbia kishte refuzuar ta nënshkruante marrëveshjen në Vjenë ku kërkohej që Serbia t’i paguante Kosovës dëmet e luftës me vlerë prej rreth 20 miliardë dollarë, ku në faturë janë përfshirë këto kërkesa.

“Dëmet e Serbisë ndaj pronës në Kosovë, dëmet e luftës, përjashtimi i njerëzve nga puna, humbja e kursimeve, humbja e pensioneve, plaçkitjet në luftë, dëmet në sistemin buxhetor etj, të gjitha këto i kanë ba një faturë Serbisë, me argumente me anekse të përpunuara, ju kanë prezantu ekipit të Ahtisarit dhe kemi kërku që për një rregullim komplet të marrëdhënieve të Kosovës me Serbisë duhet të pastruar të gjitha llogaritë”, kishin thënë Mustafa në një intervistë për KALLXO.com, vitin e kaluar.

Mirëpo, sipas Nora Ahmetajt, askush s’ka arritur të paraqiste fakte për dëmet e luftës. Madje, ajo thotë se edhe të dhënat e institutit Riinvest, pjesë e së cilës është edhe profesori Muhamet Mustafa, kanë qenë të dhëna paushalle.

“Jo, s’ka fakte veç llafe paushalle. Instituti Riinvest gjithashtu dilte me te dhëna paushalle, por jo me kalkulime siç janë bërë për konfliktin ne Darfur, Gaza, Liban etj, të bëra nga instituti i lartpërmendur”, tha Ahmetaj për Gazetën JnK

Pra, janë bërë 18 vjet që prej se Serbia tërhoqi trupat e saj nga Kosova dhe 10 vjet prej që Kosova ka shpallur pavarësinë e saj dhe ende nuk janë llogaritur dëmet e luftës.