Besa Luzha gjatë dorëzimit të peticionit | Foto: KALLXO.com

Besa Luzha: Presim Hetim të Pavarur për Deharin

Besa Luzha, dorëzuesja e peticionit të shoqërisë civile për ndriçimin e vdekjes së Astrit Deharit, tha se nga seanca e jashtëzakonshme u Kuvendit ku po diskutohet për këtë vdekje pret dalje me konkluzionin për hetim të pavarur.

“Ne presim që nga seanca të dërgohet kërkesa unanime që të zhvillohen sa më parë hetimet e pavarura dhe të bëhet thirrje që të ndalohen më burgosjet politike,” tha Luzha për KALLXO.com.

Ditën kur po zhvillohet seancë e jashtëzakonshme për aktivistin e Lëvizjes “Vetëvendosje” Astrit Dehari, i cili u gjet i vdekur më 5 nëntor të muajit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, shoqëria civile ka dalë para këtij institucioni për të kërkuar drejtësi, hetim të pavarur dhe transparent për rastin në fjalë.

Më 29 nëntor shoqëria civile ka dërguar 23 mijë e 774 nënshkrime të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës për të mbajtur një seancë të tillë, për hetim të pavarur dhe dorëheqje të ministrave të drejtësisë dhe punëve të brendshme, nënshkrime sipas të cilave nuk po mbahet seanca e sotme, pasi ajo është mundësuar nga dyzet nënshkrimet e deputetëve të PDK-së e LDK-së.

http://kallxo.com/peticioni-per-astrit-deharin-dorezohet-ne-kuvend/

E pyetur në lidhje me kërkesën për dorëheqje të Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Luzha tha se ajo tashmë duhet të kishte dhënë dorëheqje.

“Kërkesa jonë është e qartë…në aspektin e përgjegjësisë morale ajo do të duhej të kishte dhënë tashmë,” tha Luzha.

Në seancën sotme të Kuvendit ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha foli për masat e ndërmarra pas vdekjes së Deharit.

Shoqëria civile ka mbajtur aktivitete, marshe e protesta të shumta në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit

http://kallxo.com/shoqeria-civile-vazhdon-protestat-per-astrit-deharin/