Bekim Jashari ia sqaron arsyet e protestës gjeneralit të KFOR-it

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në takimin me gjeneralin e KFOR-it, Salvatore Cuoci, ia sqaroj arsyet e protestës në Drenicë kundër vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiq, në Banjë të Skenderajt.

Përmes një komunikatë bëhet e ditur se, Jashari ka thënë se qytetarët kanë protestuar për shkak se e kanë konsideruar fyerje këtë vizitë, para një kërkim falje.

Megjithatë, kryetari i Skenderajt ka siguruar komandantin e KFOR-it se protesta e së dielës ka qenë kundër vizitës së presidentit të Serbisë në Skenderaj, komunë kjo që ka vuajtur më së shumti gjatë luftës, dhe në asnjë mënyrë kundër serbëve lokal, i cili trajtohet denjësisht në jetën institucionale, kjo për faktin se janë edhe të përfaqësuar në mekanizma dhe organe lokale, thuhet mes tjerash në komunikatën e Komunës së Skenderajt.

Komandanti i KFOR-it e kishte vlerësuar të qetë protestën e së dielës, dhe pa ndonjë problem.

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci është shprehur i interesuar edhe për aspektin e zhvillimit ekonomik të komunës së Skenderajt, ndërsa kryetari Jashari ia ka bërë të qartë synimet dhe planet në funksion të zhvillimit ekonomik, duke përmend Parkun e Biznesit, pastaj projektin e Pendës në Kuqicë, realizimi i të cilit do të siguronte furnizim me ujë të pijes dhe për ujitje për 200 mijë banorë, ka njoftuar komuna e Skenderajt në faqen zyrtare në ‘Facebook’.