Baftiu: Të rritet numri i inspektorëve të punës në bazë të numrit të popullsisë

Deputetja dhe Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ka thënë se numri i inspektorëve të punës duhet të rritet në bazë të numrit të popullsisë në vend.

Ajo këto deklarata i bëri gjatë tryezës së organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me temën ‘’Sfidat e punëtorëve dhe roli i Inspektoriatit të Punës’’.

‘’ Duke marrur parasysh që kemi pasur një ligj që është hartuar në kohën e UNMIK-ut që në vitin 2002. Prandaj ka qenë më së e domosdoshme që të kemi një ligj të inspektoriatit të punës, i cili është më funksional dhe më i zbatueshëm në praktikë.Ne si komision kemi formu grupin punues, që e udhëheq deputeti Bekim Haxhiu dhe së bashku deri në momentet ku ne si komision do të mblidhemi dhe normal që do të jenë prezent të gjithë ata të cilët janë të interesuar të kontribojnë në komision dhe aty do të diskutohen nenet të cilat janë diskutabile. Nëse bëjmë një vështrim prej ligjit aktual të Inspektoriatit të Punës me projektligjin aktual që tani e kemi, unë mund të them se ndryshimet janë evidente’’, ka thënë Baftiu.

Ndërsa Adelina Hasani nga KDI ka thënë se në Inspektoriatin e Punës ekzistojnë vetëm 52 inspektorë të punës në mbarë vendin, ndërsa në raportin e progresit të vitit 2018 thuhet që duhet të rritet numri i inspektorëve.

‘’ Ekzistojnë probleme të shumta që përballen punëtorët në vendet e punës, duke filluar nga mungesa e sigurimit shëndetësor, kontratat e punës, sigurimi në vende të punës. Në pjesën më të madhë të aksidenteve në Kosovë është sektori i ndërtimit. Në anën tjetër qytetarët ballafaqohen me një varfëri të madhe, ku ata edhe i pranojnë të punojnë në vende të punës pa pasur kushte bazike’’, ka thënë Hasani.

Visar Rushiti i cili e ka kryer hulumtimin parlamentar për inspektoriatin e punës, ka thënë se në vendet e rajonit nuk ka gjetur ndonjë model të mirë që do të mund të përshtatej për Kosovën.

‘’ Vendet të cilat jam mundu mi shqyrtu janë Sllovenia, Austria, Estonia, Lituania, Danimarka dhe Holanda. Kam shkuar në këtë zingjir të vendeve duke marrë parasysh që nuk janë vende shumë të mëdhaja. Inspektoriatet duhet të jenë ose komplet të decentralizune qysh janë sot në kuadër të ministrive për fushën e vet përkatëse, ose duhet të jetë një inspektoriat krejt i centralizun’’,ka deklaruar Rushiti.

Në këtë tryezë ishin prezentë edhe deputeti Bekim Haxhiu, zëvendës ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Çerkin Dukolli dhe kryeinspektori i Inspektoriatit të Punës Basri Ibrahimi.