Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Avokati i Popullit i Drejtohet Qeverisë për Pensionet e Para Vitit 1999

Avokati i Popullit i ka publikuar Raportin me rekomandime për Qeverinë e Kosovës dhe ministrive përkatëse, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes mbi nevojën e rregullimit pozitiv të pensionit kontributpagues për kategorinë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë punuar para vitit 1999 dhe nuk e kanë arritur kohën e stazhit pensional prej 15 viteve, pa fajin e tyre, për shkak të largimit diskriminues nga puna, në kohën e masave të dhunshme të vendosura në Kosovë.

Në kuadër të autorizimeve ligjore dhe kushtetuese të tij, Avokati i Popullit në vazhdimësi ka trajtuar problemet dhe sfidat e pensionistëve në Kosovë, përfshirë edhe kategorinë e pensionistëve kontributpagues që kanë punuar para vitit 1999, por që nuk e kanë arritur stazhin pensional prej 15 viteve, si kriter kryesor për përfitimin e pensionit kontributpagues.

Kategoria e qytetarëve që kanë punuar para vitit 1999 dhe nuk e kanë arritur stazhin pensional prej 15 viteve për shkak të largimit nga puna në kohën e vendosjes së masave të dhunshme, të vendosura në Kosovë pas suprimimit të autonomisë në vitin 1989, paraqesin sfidën kryesore për trajtim nga shteti i Kosovës.

“E drejta e qytetarëve për të përfituar pensionin kontributpagues për periudhën e punës para vitit 1999 konsiston në një kolizion midis ligjit që ka përcaktuar kriterin e përfitimit të këtij lloji të pensionit, me parimet që lidhen me të drejtat themelore të njeriut, përkatësisht të drejtën e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, të drejtës për të mos u diskriminuar dhe obligimet pozitive të shtetit, në raport me të drejtat e qytetarëve të tij”, thuhet në komunikatën e Avokatit të Popullit.

Për këto arsye dhe duke u bazuar në detyrimet kushtetuese dhe obligimet pozitive që shteti ka në raport me qytetarët, Avokati i Popullit konstaton domosdoshmërinë që Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë masa që të gjithë qytetarët që kanë punuar para vitit 1999 dhe janë larguar nga puna mbi baza diskriminuese, të përfitojnë nga pensioni kontributpagues i moshës.

Prandaj, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë masat e nevojshme që në afat sa më të shpejtë të fillohet ndryshimi i bazës ligjore dhe të propozoj draft-ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që kategoria e qytetarëve që kanë punuar para vitit 1999 dhe janë larguar nga puna mbi baza diskriminuese, të përfitojnë nga pensioni kontributpagues. Për këtë qëllim është e nevojshme që të përcaktohen detyrat përkatëse edhe për ministritë e linjës, në lidhje me përgatitjen e ndryshimeve ligjore dhe planifikimet buxhetore, dhe sipas nevoje të themelohet edhe një grup punues ndërministror.

Në vijim, në këtë raport, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që të përgatisë draftin dhe të iniciojë ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti (LSPFSh), përkatësisht nenit 8 të tij, në mënyrë që edhe personat që kanë punuar para vitit 1999 dhe që nuk e kanë arritur stazhin pensional prej 15 viteve për shkak të largimit diskriminues nga puna, t’u njihet e drejta për të përfituar nga pensioni kontributpagues; si dhe ta bëjë identifikimin dhe klasifikimin e kësaj kategorie të qytetarëve të Kosovës në bazë të dëshmive relevante;

Gjithashtu, Avokati i Popullit i rekomandon MPMS-së që pas ndryshimit të ligjit të ndryshojë edhe Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2015 për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional.

Avokati i Popullit i rekomandon edhe Ministrisë së Financave që të ndërmarrë masat e duhura që përveç mjeteve nga fondi pensional, sipas nevoje të parashikojë mjete financiare shtesë në planin e Buxhetit Shtetëror, me qëllim të dhënies së pensioneve për këtë kategori të qytetarëve. Në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore në afat sa me të shpejtë të propozojë kategorizimin e këtyre pensionistëve në pajtim me kapacitetet që ka buxheti i Republikës së Kosovës.