Arrestohet i dyshuari për grabitje në Pejë, për të u kërkua edhe ndihma e qytetarëve

Në shkurt të këtij viti Drejtoria e Policisë në Rajonin e Pejës, kishte kërkuar nga ana e qytetarëve që të kenë bashkëpunim në lidhje me identifikimin e një personi i cili dyshohej për disa grabitje në rajonin e Pejës.

I njëjti është arrestuar pas disa muajsh. Policia ka njoftuar se gjatë ditës së sotme pas identifikimit të të dyshuarit V. B 26 vjeçar, i njëjti është arrestuar.

“I dyshuari i lartcekur dyshohet se ka kryer disa grabitje gjatë vitit 2018 dhe 2019, në rajonin e Pejës dhe i njëjti deri më tani ka qenë në arrati. Policia e Kosovës në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit dhe gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Pejë, kanë kryer kontroll-bastisje dhe është arritur arrestimin i personit të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit i dyshuari pas intervistimit nga ana e hetueseve rajonalë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, dërgohet në mbajtje për 48- orë.