Ndalohet i dyshuari për vrasjen në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen në Mitrovicë,  Sh.A., është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor.

“Ndaj të dyshuarit Sh. A., 35 vjeçar, me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale: vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës, është dërguar për obduksion në IML”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Personit të dyshuari i është ofruar tretman mjekësor, pasi sipas Policisë së Kosovës, edhe ai ka qenë i lënduar.

Tutje policia ka treguar se njëri nga personat e plagosur, ka marrë plagë aksidentalisht.

“Nga hetimet e zhvilluara deri me tani, njeri nga të lënduarit ka marrë plagë aksidentalisht. Ndërsa në vendin e ngjarjes pas ekzaminimeve të kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar një armë (pistoletë), tri (3) gëzhoja dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Trupi i pajetë i viktimës 27 vjeçare është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Për rastin, nëpërmes një komunate për media, kanë njoftuar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Pos tjerash, Prokuroria thotë se me të dyshuarin ka qenë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës, por sipas informacioneve të para i njëjti nuk është kryerësi i vrasjes.

Një i vdekur dhe dy të plagosur në Mitrovicë