Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla

Aktakuzë për Koordinatorin e Vëzhguesve që u Kap me 6 Fletëvotime në Çantë

Aktakuza e ngarkon të pandehurin se në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të dielën më 11 qershor, në shkollën fillore “Asdreni” në Pejë, si person zyrtar dhe atë si koordinator i vëzhguesve të njërit nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje, duke keqpërdor pozitën apo autoritetin e tij, ai i ka këshilluar votuesit që të votojnë në favor të subjektit politik që ai përfaqësonte.

L.A. dyshohet se i ka dhënë dëshmitarit N.M. një kopje të fletëvotimit se cilët kandidatë dhe subjekt politik t’i votojë, ndërsa më pas është ndaluar nga Policia e Kosovës.

Për më tepër, në çantën e tij ishin gjetur gjashtë kopje të pa plotësuara të fletëvotimeve.

I pandehuri me këto veprime duke keqpërdor pozitën, detyrën dhe autoritetin e tij, si person zyrtar ka përmbushur elementet e veprës të përshkruar sikur më lart.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.