918 Ditët e Grevës së “Ballkanit”

Punëtorët e kësaj fabrike menduan se do të rikthehej nami i dekadave të kaluara kur “Ballkani” u privatizua, e në asnjë mënyrë që viti 2016 do t’i gjente në grevë pikërisht për shkak të mosrealizimit të të drejtave të punëtorëve.

Greva e punëtorëve të kësaj fabrike ka “mbushur” 30 muaj, pasi asnjëra nga kërkesat e tyre nuk është plotësuar, ndërsa paratë nga 20 përqindëshi i shitjes së ndërmarrjes nuk i kanë marrë ende 225 punëtorë të “Ballkanit”.

Punëtorët grevistë kërkojnë njohjen e të drejtës së marrëdhënies së punës për periudhën 1990-1999, ndërsa nga APK-ja duan pagesën e 20 % nga privatizimi, pagesën e kontributeve, pensioneve  për vitet 2002-2005 dhe shumën prej 5327 eurove në bazë të aktgjykimit të gjykatës.

Kërkesat e tyre, punëtorët ia kanë dorëzuar edhe Kuvendit të Kosovës dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), por ende janë në pritje të rezultateve.

Pas 918 ditëve grevë, ata besojnë që kërkesat e tyre janë tashmë të qarta për të gjithë. Këtë e thotë Ibrahim Hoxha, kryetar i Këshillit Grevist.

“Është muaji i 30-të, duke filluar nga data 23 shtator 2013 e deri tani jemi në grevë. Kërkesat tona janë tashmë veç të njohura për qëllimin që jemi futur në grevë,” thotë Hoxha.

Ai i bën thirrje bordi të ri të AKP-së që të fillojë sa më shpjet me pagesat e borxheve punëtorëve të “Ballkanit”.

“Fillimisht do të apeloja që pasi që është formuar bordi i AKP-së, Dhoma e Posaçme të marrë sa më shpejt vendim që është e lidhur ngushtë me AKP-në dhe AKP-ja të fillojë pagesat e borxheve që na kanë në bazë të ligjit karshi kërkesave tona,” thotë Hoxha.

Disa grevistë për të kaluar kohën, kishin zgjedhur për t’u argëtuar me lojën e shahut.

Grevistët thonë se nuk do ta ndërpresin grevën pa realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa tregojnë se disa nga punëtorët e kësaj fabrike kanë vdekur, jo si shkak i grevës por sigurisht të ndikuar edhe nga mosrealizimi i kërkesave.

Bazuar në të dhënat e AKP-së, Fabrika e Gomave në Suharekë është shitur për 1 milion e 400 mijë euro te ndërmarrja turke “Ozerband Group”.

Kontrata me blerësin është nënshkruar më 21 korrik 2005, ndërsa ai ishte zotuar se do të investojë 6 milionë euro për tre vjet dhe se për një periudhë dyvjeçare do të mbajë në punë 375 veta.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar edhe në maj të vitit 2013 se kjo fabrikë për prodhimin e gomave, edhe pse e privatizuar me spin-off special, e kishte shitur një pjese te tokës në mënyrë të dyshimtë.

Zgjerimi i Dyshimtë i Zinxhirit të Marketeve

Po ashtu KALLXO.com kishte shkruar edhe në shkurt të vitit 2015 për grevën e punëtorëve të Ballkanit.

http://kallxo.com/greve-per-ginis-16-muajt-e-greves-se-punetoreve-te-ballkanit/

KALLXO.com kërkoi edhe përgjigje nga AKP-ja lidhur me kërkesat e punëtorëve, por zëdhënësi i saj Ylli Kaloshi nuk iu përgjigj këtyre pyetjeve të dërguara me postë elektronike.

Një grevë të ngjashme po e bëjnë që 657 ditë edhe punëtorët e Fabrikës së Tubave, por tendën e tyre të vendosur para ndërtesës së qeverisë e largoi policia më 26 shkurt.

[interaction id=”56e34381518248f65e771ee2″]