170 Milionë Dëme të Paguara nga Kompanitë e Sigurimeve

Të dhënat për pagesën e dëmeve nga kompanitë e sigurimeve që veprojnë në Kosovë i paraqiti Banka Qendrore e Kosovës.

Sipas raportit të BQK-së në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar kompanitë e sigurimeve paguan më shumë dëme.

Kompanitë e sigurimeve në periudhën e njëjtë të vitit 2014 sipas Bankës Qendrore kishin paguar 143.2 milionë euro dëme.

Nga janari deri në tetor 2015 këto kompani paguan 26.4 milionë euro dëme më shumë.

Dëme më së shumti u paguan në tetor-30.3 milionë euro, ndërsa pas tetorit u radhit korriku. Në këtë muaj kompanitë e sigurimeve paguan 20 milionë euro.

Për dallim nga dëmet e paguara, premitë e pranuara nga kompanitë e sigurimeve kishin rënie me periudhën krahasuese

Premitë e pranuara deri në tetor të 2015-ës ishte 362.9 milionë euro nga 365.6 milionë euro që ishin në periudhën e njëjtë të vitit 2014,  me rënie rreth 2.7 milionë euro.

Sigurimi është një marrëveshje ku njëra palë që e siguron i premton t’i paguajë palës tjetër apo të siguruarit një shumë të hollave në rast të ndonjë ndodhie që do ti shkaktonte humbje financiare.

Në këtë rast përgjegjësia për pagesën e humbjeve bartet tek siguruesi dhe siguruesi për të marrë këtë detyrim e ngarkon të siguruarin me një shumë të caktuar të hollave siç njihet premia e sigurimit.