Bejtush Gashi. Foto: MPB

Shkarkohet ministri i brendshëm, Bejtush Gashi

Vetëm dy ditë pasi i ka mbushur pesë muaj në kabinetin qeveritar, ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi është shkarkuar nga kjo pozitë.

Sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Rrahim Pacolli, e konfirmoi për KALLXO.com vendimin e partisë.

“Po, është shkarkuar ministri Bejtush Gashi. Ky shkarkim erdhi për shkak të performacës së tij si ministër”, tha Pacolli pa dhënë më tepër detaje.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Gashi është liruar nga detyra nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj me kërkesë të aleatit të vogël në koalicionin qeveritar, Aleancës Kosova e Re të drejtuar nga Behgjet Pacolli.

As Gashi as kryetari i partisë, Behgjet Pacolli, nuk janë përgjigjur në tentimet e shumta të KALLXO.com për të marrë koment.

Gashi ishte emëruar në prill të vitit 2018, pak ditë pasi ish-ministri Flamur Sefaj qe shkarkuar për shkak të ekstradimit misterioz të gjashtë shtetasve turq drejt Turqisë.

https://kallxo.com/bejtush-gashi-emerohet-minister-i-brendshem/