Peci: Ministri i Brendshëm, ‘kurban’ për të arsyetuar dështimin e mundshëm në INTERPOL

Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka reaguar pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashit, dhe zëvendësimit të tij, sipas të gjitha gjasave, nga Ekrem Mustafa.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Peci ka shprehur habinë rreth shkarkimit të ministrit të Brendshëm në kohën kur, sipas tij, krejt forcat duhet të mobilizohen për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Ish-ambasadori Lulzim Peci ka ngritur dyshime se mos Qeverisë nuk po i ecë puna mirë në përpjekjen për anëtarësim në INTERPOL dhe po i duhet një “kurban” për të arsyetuar dështimin e mundshëm.

Sipas Pecit, akti i shkarkimit të ministrit Gashi ka vetëm një emër: Mungesë totale e sensit të qeverisjes.

Ky është postimi i plotë i Lulzim Pecit:

“Po ku e gjetet me e be shkarkimin e Ministrit te Brendshem ne kohen kur krejte forcat duhet te mobilizohen per antaresimin e Kosoves ne INTERPOL? Apo ndoshta nuk po ju ece puna mire ne kete perpjekje dhe po ju duhet nje “kurban” per te arsyetuar deshtimin e mundshem?

Ky akt e ka vetem nje emer: Mungese totale e sensit te qeverisjes.”