Ilustrim

Shkaku i Kosovës, Serbisë i anulohet një garë sportive ndërkombëtare

Tensionet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë bërë që të anulohet një garë ndërkombëtare e aeronautikës cila ishte planifikuar të mbahej në maj të vitit të ardhshëm në Serbi.

Kryetari i Komisionit Ndërkombëtar për Fluturim të Lirë (CIVL), Stephane Malbos, komunikoi sot se është anuluar Kampionati Botëror i Paragllajdingut me Precizion, i cili ka qenë dashur të mbaj prej 15 deri më 25 maj 2019.

“për shkak të tensioneve politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe politikës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar rreth pjesëmarrjes së delegacioneve sportive dhe atletëve në ngjarjet sportive (parimi i autonomisë dhe jodiskriminimit), Kampionati i 10-të Botëror i Paragllajdingut me Precizion në Vrshac të Serbisë është anuluar. Do t’ju informojmë për zhvillimet e mëtejme”, thuhet në deklaratën e Malbos.

Sekretari i Federatës së Aeronautikës të Kosovës, Ardall Celina, konfirmoi për KALLXO.com vendimin për anulim.

“Është vendim i drejtë, sado që na vjen keq që Federata ka qenë e detyruar të vendosë për anulimin e ngjarjes. Sipas rregullave olimpike, asnjë anëtar nuk duhet të diskriminohet”, tha Celina për KALLXO.com.

“Vendimi është marrë në mënyrë që të mos vijë situata sikur që ka ndodhur më herët me sportistët nga Kosova”, tha Celina duke iu referuar ndalesave nga Serbia me të cilat sportistët kosovarë, hendbollistët dhe karateistët, u përballen vite më parë.

“Ne kemi qenë të interesuar të marrim pjesë, madje kemi qenë në diskutime të vazhdueshme me federatën ndërkombëtare”, tha Ardall Celina.