Rastet e rënda të Covid-it ka të ngjarë të shfaqen 'në zona shumë të ndotura'

Njerëzit që infektohen me Covid-19 kanë më shumë gjasa të vuajnë nga simptoma të rënda nëse kanë qenë të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit për periudha të gjata.

Një studim zbuloi se njerëzit që jetojnë në vende ku ka nivele të larta të dioksidit të azotit ndotës atmosferik kanë shanse më të mëdha për të përfunduar në njësitë e kujdesit intensiv (ICU) ose për të pasur nevojë për ventilim mekanik pas infektimit me Covid.

Dioksidi i azotit lëshohet në atmosferë kur digjen lëndët djegëse fosile dhe dihet se gazi shkakton efekte të dëmshme në mushkëritë e njerëzve. Në veçanti, qelizat endoteliale – të cilat formojnë një membranë të hollë që mbulon pjesën e brendshme të zemrës dhe enëve të gjakut – dëmtohen dhe kjo pastaj e pengon transferimin e oksigjenit nga ajri i thithur në gjakun e një personi.

“Rezultatet tona tregojnë e japin një lidhje pozitive midis ekspozimit afatgjatë ndaj dioksidit të azotit dhe vdekshmërisë së Covid-19 si dhe shkallës së dukurisë Covid-19,” tha ekipi i studiuesve gjermanë, të udhëhequr nga Susanne Koch, nga Universitätsmedizin Berlin, një spital i madh ligjerimi.

Shkencëtarët kishin bërë më parë një ndërlidhje midis Covid-it dhe ndotjes së ajrit, por pak studime e kanë vënë fokusin tek rastet që ishin veçanërisht të rënda ose në kushte shoqëruese shëndetësore në ata të prekur nga sëmundja.

Koch dhe ekipi i saj i përdorën të dhënat e ndotjes së ajrit për t’i llogaritur nivelet mesatare të dioksidit të azotit për çdo qark në Gjermani. Më e larta u gjet në Frankfurt, ndërsa më e ulëta ishte në Suhl, një qark i vogël në Thuringia, sipas raportit të bërë nga grupi i lartcekur, i cili u prezantua javën e kaluar në Euroanaesthesia, takimi vjetor i Shoqatës Evropiane të Anesteziologjisë dhe Kujdesit Intensiv në Milano.

Grupi në fjalë studioi gjithashtu të dhëna se sa pacientë me Covid në spitalet gjermane kishin kërkuar trajtim në njësitë e kujdesit intensiv dhe ventilim mekanik gjatë një muaji në vitin 2020. Këto shifra u përshtatën për faktorë të tjerë, siç janë kushtet para-ekzistuese shëndetësore.

Pas analizimit të rezultateve të tyre, ekipi raportoi se mesatarisht nevojiteshin 28 shtretër për njësitë e kujdesit intensiv dhe 19 ventilatorë për pacientët me Covid në secilin nga 10 qarqet që kishin ekspozimin më të ulët afatgjatë ndaj dioksidit të azotit. Këto shifra ishin në kontrast me një mesatare prej 144 shtretërish të repartit intenziv dhe 102 ventilatorë të nevojshëm në 10 qarqet me ekspozimin më të lartë afatgjatë.

Hulumtimi përmban implikime shqetësuese. Në Mbretërinë e Bashkuar, 75% e zonave urbane në vitin 2019 kishin nivele të jashtëligjshme të ndotjes së ajrit, duke nënvizuar faktin se qeveria britanike nuk ka bërë pothuajse asnjë progres në raport me detyrimet ligjore që duhet të ishin përmbushur në vitin 2010. Gjatë bllokadës, pati një ulje të përkohshme në azot në disa zona. Megjithatë, trafiku dhe ndotja po kthehen në nivelet e mëparshme në shumë qytete dhe qytete.

Sipas Royal College of Physicians, ndotja e ajrit shkakton ekuivalentin e 40,000 vdekjeve të hershme në vit dhe ka qenë e lidhur me kancerin, astmën, sulmet në tru dhe sëmundjet e zemrës, diabetin, obezitetin dhe ndryshimet që lidhen me demencën. Tani dëshmitë po shtohen se edhe Covid-i duhet t’i shtohet kësaj liste.

Studimi gjerman nuk vërtetoi një lidhje shkaktare midis ndotjes së ajrit dhe Covid-it të rëndë, pranuan studiuesit. Sidoqoftë, ata sugjeruan një lidhje të mundshme shkakësore që mund ta shpjegojë marrëdhënien midis Covid-it të rëndë dhe niveleve të dioksidit të azotit në atmosferë.

Koronavirusi dihet se lidhet me receptorin Ace-2 kur hyn në qeliza pasi infekton një person. Ky receptor ka shumë role kyçe, njëri prej të cilëve përfshin ndihmën e trupit për t’i rregulluar nivelet e angiotenzinës II, një proteinë që e rrit inflamacionin. Me fjalë të tjera, Ace-2 ndihmon për ta frenuar inflamacionin.

Megjithatë, kur Covid lidhet me Ace-2, këto frena hiqen. Dihet gjithashtu se ndotja e ajrit shkakton një çlirim të ngjashëm të kontrolleve mbi angiotensin II. Pra, kombinimi i Covid-it dhe ekspozimit afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit do të rezultonte me një inflamacion më të rëndë, Covid më të rëndë dhe më shumë nevojë për trajtim intenziv dhe ventilim mekanik, argumentoi ekipi i lartcekur.

“Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit të ambientit mund të kontribuojë në një sërë kushtesh të tjera, përfshirë sulmet në zemër dhe në tru, astmën dhe kancerin e mushkërive, dhe do të vazhdojë ta dëmtojë shëndetin shumë kohë pas përfundimit të pandemisë Covid-19”, shtoi Koch. “Një kalim drejt energjisë së rinovueshme, transportit të pastër dhe bujqësisë së qëndrueshme nevojitet urgjentisht për ta përmirësuar cilësinë e ajrit. Reduktimi i emetimeve nuk do të ndihmojë vetëm në kufizimin e krizës klimatike, por do ta përmirësojë shëndetin dhe cilësinë e jetës së njerëzve në mbarë botën.”/The Guardian